E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e gjyqtarit, Topi mbledh Ina Ramën, Burgajn e kreun e SHISH

Kreu i Shtetit, Bamir Topi u kërkoi informacion të detajuar tre zyrtarëve për atentatit ndaj Skerdilajd Konomit. “Akti makabër është një goditje tepër e rëndë ndaj figurës dhe profesionit të gjyqtarit, si garant i vendosjes së drejtësisë në vend”

Tiranë Atentati mafioz që i mori jetën gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi ka alarmuar dje krerët e shtetit dhe drejtuesit e institucioneve të sigurisë në vend. Me kërkesë të Presidentit Bamir Topi, i cili mban edhe detyrën e kreut të KLD-së, në zyrën e tij kanë shkuar me urgjencë drejtuesit e Prokurorisë së Përgjithshme, Shërbimit Informativ Shtetëror dhe ai i Policisë së Shtetit. Ina Rama, Bahri Shaqiri dhe Hysni Burgaj kanë mbërritur në Presidencë rreth mesditës së djeshme, pask kohë pas publikimit të lajmit tronditës të vrasjes së gjyqtarit në një atentat me eksploziv. Takimi mes krerëve të institucioneve të sigurisë në vend dhe Presidentit të Republikës, ka pasur si qëllim informimin e këtij të fundit për hetimet e deritanishme të kryera nga të trija këto institucione. Në faqen zyrtare të Presidencës thuhet se gjatë këtij takimi më drejtues të lartë të institucioneve të shtetit shqiptar, Presidenti Topi kërkoi një informacion të detajuar mbi zhvillimet e deritanishme që i përkasin ngjarjes tragjike të vrasjes në Vlorë të gjyqtarit Skerdilajd Konomi. “Pasi dëgjoi me vëmendje Prokuroren e Përgjithshme, Drejtorin e SHISH dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Presidenti i Republikës kërkoi angazhimin maksimal të këtyre institucioneve dhe strukturave të tjera vartëse për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe arrestimin e autorëve si dhe vënien e tyre sa më parë përpara drejtësisë”- thuhet në njoftimin e Presidencës. Gjatë takimit, kreu i Shtetit vuri në dukje se një ngjarje e tillë, që ka tronditur gjithë opinionin publik, është një goditje tepër e rëndë ndaj figurës dhe profesionit të gjyqtarit si garant i vendosjes së drejtësisë në vend, ndaj dhe për këtë duhet një bashkëpunim shumë profesional dhe i efektshëm mes institucioneve përkatëse për të zbuluar shkaqet dhe gjetur autorët e këtij akti makabër. “Presidenti i Republikës inkurajon të gjithë punonjësit e zbatimit të ligjit që të kryejnë me guxim e profesionalizëm detyrën e tyre fisnike në mbrojtje të jetës dhe sigurisë së qytetarëve”- thuhet në njoftimin e Presidencës. Mësohet se Prokurorja e Përjithshme i ka bërë me dije Presidentit hetimet që dy prokurorët e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me ekspertët e policisë së shtetit kanë zhvilluar në Vlorë. Sipas informacioneve të para, gjyqtari Skerdilajd Konomi që ushtron këtë detyrë që prej vitit 2004 konsiderohet si një nga gjyqtarët model në Shqipëri. Gjatë karrierës së tij 7- vjeçare, Konomi është angazhuar kryesisht në çështjet civile dhe familjare, çka hedh dyshime të tjera përtej detyrës, mbi motivet e atentatit mafioz të ndodhur mëngjesin e djeshëm në qytetin e Vlorës. Për hetimin e kësaj ngjarje të rëndë jana angazhuar ekspertët më të mirë të policisë dhe prokurorisë, si dhe agjentë dhe oficerë të Shërbimit Informativ Shtetëror. L.Bakillari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›