Shëndeti Publik paralajmëron mbylljen e disa shkollave
ELBASAN Nuk plotësojnë standardet, Shëndeti Publik në Elbasan paralajmëron mbylljen e disa shkollave. Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor 2011-2012 Drejtoria e Shëndetit Publik në Elbasan ka kryer një sërë inspektimesh në të gjitha shkollat e rrethit Elbasan për plotësimin e standardeve higjieno-sanitare, me qëllim evidentimin edhe zgjidhjen e problemeve. Gjatë kontrolleve të kryera janë evidentuar mangësi që kanë të bëjnë me kushtet higjieno-sanitare, në furnizimin me ujë të pijshëm, dezinfektimin e depozitave dhe ambienteve, rikonstruksionin e godinave si dhe gjendjen e tualeteve.
Sipas drejtorit Bujar Kllogjri, nga verifikimet e kryera janë evidentuar disa institucione arsimore problematike, ku mes të cilave përmenden shkollat “Qemal Haxhihasani”, “Sul Misiri” e “Bardhyl Popa” në Elbasan, që kanë nevojë për rikonstruksion të ambienteve si pasojë e amortizimit, ndërsa konstatohen probleme të pjesshme në shkollat “Ahmet Dakli”, “Hamit Mullisi”, “Qamil Guranjaku”, që kanë probleme hidrosanitare, ndërsa nevojë emergjente për ndërhyrje konstatohen në shkollat e zonave rurale, si në shkollën e mesme në Shalës, për probleme hidrosanitare që janë tërësisht jashtë funksionit, shkolla e mesme në Papërr: mungesë të ujit të rrjedhshëm, shkolla 9-vjeçare në Dushk, shkolla Papërr Sollak, Shirgjan, Godolesh shkolla 9-vjeçare, Bizhutë e Sipërme dhe Jatesh, Gostimë, shkolla “Aleks Buda” në Cërrik. Për të gjitha këto shkolla problematike janë lënë detyra për përmirësim të kushteve para fillimit të vitit të ri shkollor dhe, në rast mosrealizimi, do merren masa përkatëse me gjobë dhe masa administrative deri në mbylljen e tyre. F.S.