Kyçen tri shkolla, nuk do të hapen më 12 shtator
Sipas shefit të shërbimit të higjienës, ka shkolla ku nuk ka as tualete për nxënësit
FIER Tre institucione të mësimdhënies në rrethin Fier nuk do të lejohen të kryejnë procesin mësimor për vitin që pritet të nisë në fillim të javës së ardhshme. Ato janë shkollat e fshatit Vreshtaz dhe Vjosë në komunën Cakran rrethi Fier, si dhe kopshti i fshatit Darëzezë, në komunën Dërmënas rrethi Fier. Ka qenë Drejtoria e Shëndetit Publik parësor në Fier, e cila nëpërmjet shefit të Shërbimit të Higjienës, Nuredin Kallashi, ka deklaruar këtë fakt. Sipas tij, gjatë procesit të inspektimit të bërë prej specialistëve të higjienës, është konstatuar se “këto shkolla nuk plotësojnë asnjë kusht për të qenë në shërbim të më shumë se 400 nxënësve e fëmijëve. Është e tmerrshme të pohosh që në vitin 2011 godinat shkollore nuk kanë asnjë element për të qenë në ndihmë të nxënësve dhe mësuesve”. Shkollat e mësipërme nuk kanë as banja apo WC, ndërsa dyert dhe dritaret janë tërësisht të shkatërruara. Madje mungojnë edhe tavolinat për nxënësit.
Përballë këtij fakti kemi vendosur që, nëse deri ditën e hënë nuk janë plotësuar kushtet e vendosura nga specialistët për të plotësuar nga drejtuesit e njësive të qeverisjes vendore, këto shkolla dhe ky kopsht nuk do të lejohen të zhvillojnë procesin mësimor.
Vetë banorët e fshatit Vreshtas kanë pohuar se ndihen të zhgënjyer nga gjendja e godinës së shkollës ku zhvillojnë mësim fëmijët e tyre. “Nuk do të dërgojmë fëmijët në këtë shkollë. Është për të ardhur keq. Nëse shteti ka vendosur sistemin e pikëve për gjithë nxënësit në Shqipëri, si atë që studion në shkolla tepër të rregullta e me bazë mësimore, si dhe për fëmijën tim që studion në këtë shkollë, pa asnjë kusht, kjo duhet parë. Por unë kam vendosur të mos e dërgoj fëmijën tim për të mësuar në këtë shkollë- u shpreh Abedin Lutaj, banor i këtij fshati. Drejtoria e shëndetit publik ka pohuar gjithashtu se edhe në shkolla të tjera do të kryhen inspektime të rregullta në lidhje edhe me masat e higjienës. Kjo për t’i paraprirë situatave jo të këndshme, përballë fakteve të sëmundjeve, si Ethet e Nilit, apo sëmundje të tjera që qarkullojnë në vendet fqinj. Drejtoria e Arsimit ka pohuar nëpërmjet kreut të saj Zana Numani se ka kërkuar nga krerët e njësive të qeverisjes vendore të ndërhyjnë duke investuar në godinat shkollore. Ndërkohë që, sipas saj, mjaft komuna ende nuk kanë filluar nga investimet, në këto godina janë mësuesit ata që po punojnë deri dhe në lyerje të tyre për fillimin mbarë të vitit mësimor.