Pistat e atentatit, hetim tri udhëtimeve të fundit të Konomit
Pak orë pas atentatit me tritol, grupi hetimor fokusohet tek çështjet e gjykuara nga Skerdilajd Konomi, problemet e pronësisë dhe konfliktet personale. Verifikim udhëtimeve të tre ditëve të fundit Vlorë-Durrës për pronat
Nga i dërguari ynë
Habjon Hasani
Tiranë Atentati mafioz që i mori jetën gjyqtarit Skerdilajd Konomi vazhdon të mbetet i mbuluar me mister, pavarësisht punës intensive të grupit hetimor që përbëhet nga ekspertët më të mirë të policisë dhe prokurorisë. Grupi hetimor ka hedhur disa pista hetimi, por deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, ende nuk kishte një version që mund të çonte hetuesit më pranë motiveve të ngjarjes së rëndë. Pas sigurimit të vendit të ngjarjes, ekspertët e antiterrorit dhe ata antieksplozivë kanë kryer veprimet e para në automjetin e dëmtuar nga shpërthimi i fuqishëm, i shkaktuar nga një sasi e konsiderueshme eksplozivi. Drejt Vlorës kanë udhëtuar dy prokurorë të Krimeve të Rënda, si dhe ekspertët më të mirë të Policisë së Shtetit, të cilët kryen një sërë veprimesh hetimore. Paraprakisht, dyshohet se janë disa pista hetimi, por deri në mbrëmje, sipas burimeve të rezervuar asnjë prej tyre nuk ishte përjashtuar, çka do të thotë se ende nuk ka informacione të vlefshme për t’u përqendruar në një pistë të vetme. Megjithatë, hetuesit janë fokusuar tek lëvizjet e tre ditëve të fundit të gjyqtarit 33-vjeçar. Burime nga grupi hetimor i pohuan “MAPO”-s se Konomi udhëtonte prej tre ditësh në drejtim të Durrësit, ku po merrej me çështjet e pronësisë, lëvizje këto që po verifikohen nga grupi hetimor. Nga të dhënat e para besohet se këto udhëtime kanë pasur si qëllim zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pronësisë që sapo e kishte njohur gjykata, por hetuesit nuk japin detaje për personat me të cilët takohej gjyqtari. Në momentet e para pas krimit, prokurorët kanë urdhëruar sekretarinë e Gjykatës së Vlorës të nxjerrin nga arkivi të gjitha dosjet e shqyrtuara nga gjyqtari civilist, Skerdilajd Konomi. Duke hedhur fillimisht idenë se atentati mund të ketë ardhur për shkak të detyrës së gjyqtarit, prokurorët dhe hetuesit e çështjes kanë nisur me urgjecë verifikimin e të gjithë vendimeve, që i ndjeri ka dhënë kohët e fundit. Angazhimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda në hetimin e kësaj ngjarje nënkupton se shkaku i atentatit ka qenë detyra që kryente Konomi. Por dëshmitë e kolegëve dhe të afërmve të tjerë të viktimës lënë pak hapësirë për këtë pistë hetimi. Nga ana tjetër, me urdhër të prokurorisë është kërkuar nga kompanitë celulare tabulatet telefonike për të gjithë numrat e përdorur nga gjyqtari, bashkëshortja e tij dhe anëtarët e tjerë të familjes Konomi. Hetuesit pritet të verifikojnë thirrjet hyrëse-dalëse në telefonin e gjyqtarit si dhe sms-të, të cilat do të krijojnë një tablo më të plotë për njerëzit me të cilët ka kontaktuar Konomi, para se të vritej me tritol të telekomanduar në qendër të Vlorës. Nëpërmjet telefonatave të fundit, hetuesit shpresojnë të zbulojnë ndonjë lidhje të mundshme mes autorëve të ngjarjes së rëndë dhe gjyqtarit, pasi teorikisht atentati me eksploziv nuk mund të jetë kryer pa një kërcënim të mëparshëm. Por pavarësisht këtyre pistave, të afërm dhe kolegë të gjyqtarit thonë se Skerdilajd Konomi ka qenë një njeri model, qoftë në jetën familjare ashtu edhe në atë profesionale. Ky pohim e bën akoma edhe më të mistershëm motivin e atentatit tragjik të ndodhur paraditen e djeshme në qendër të qytetit të Vlorës. Gjatë hetimeve të para, ekspertët e angazhuar për këtë çështje kanë mundur të mësojnë rreth një procesi gjyqësor që familja Konomi kishte fituar së fundmi në Gjykatën e Lartë. Bëhet fjalë për një sipërfaqe të konsiderueshme toke për të cilën familja Konomi dhe disa familje të tjera kishin ngritur të drejtën e pronësisë. Pista e fundit sipas burimeve është ajo e një konflikti të mundshëm personal ose familjar në qytetin e Vlorës. Të gjitha këto pista po hetohen paralelisht nga grupi i ngritur për këtë ngjarje që drejtohet nga prokurori për Krime të Rënda, Kosaq Beluri.
Pista 1
Një atentat për shkak të detyrës është dyshimi i parë për krimin tronditës që ndodhi në Vlorë. Grupi hetimor ka kërkuar nga sekretaria e Gjykatës së Vlorës dosjet që kishte gjykuar Konomi.
Pista 2
Çështjet e pronësisë janë një tjetër pistë që po verifikohet nga grupi hetimor. Skerdilajd Konomi ishte përfshirë direkt në një betejë gjyqësore për 40 ha tokë në Hamallaj, si udhëtonte shpesh drejt Durrësit për këtë çështje
Pista 3
Hetimi nuk ka përjashtuar as konfliktet personale, megjithë dëshmitë e shumta që e tregonin Konomin, si njeri dhe gjyqtar korrekt. Grupi hetimor ka kërkuar tabulatet telefonike për të parë komunikimet e fundit të gjyqtarit