E Shtunë, 31 Tetor 2026

Halimi: Krimi, jo i përsosur, ka prova e dëshmitarë

Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi ngushëllon familjen Konomi dhe shpreh bindjen se hetimi do të çojë para ligjit autorët

“Dora e krimit goditi në zemër shtetin e së drejtës, goditi m’u në thelbin e tij, ekzistencën e shtetit”. Kështu tha ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi pas ngushëllimeve të kryera në shtëpinë e gjyqtarit të vrarë, Skerdilajd Konomi, duke pohuar se krimi nuk ishte i përsosur. “Ajo që është e rëndësishme, është krimi nuk është një krim i përsosur. Ka prova, ka dëshmitarë që po dëshmojnë dhe jam i bindur se grupi i hetimit shumë shpejt do të nxjerrë autorët para ligjit”-shtoi më tej ministri i Drejtësisë. Ministri Halimi premtoi se kishte marrë garancinë që hetimi do të ishte i shpejtë dhe efikas e se autorët do të vendosen para ligjit. “I shpreha pak më parë ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, bashkëshortes, nënës, babait. Pak minuta më parë, u takova me grupin e hetimit, qëndruam gjatë, konstatova së grupi i hetimit po punon dhe po bën një punë të shkëlqyer, me një bashkëpunim të mirë me ekspertët më të mirë të së drejtës, të policisë kriminale, të prokurorisë së Krimeve të Rënda, të cilët po bëjnë një hetim të mirë. Mora nga ata garancinë se hetimi do të jetë i shpejtë dhe efikas dhe organizatorët, ideatorët dhe ekzekutorët do të vihen në prangat e ligjit. I garantova dhe familjarët se asnjë proces nuk do të jetë i pafundmë, por do të kenë garancinë dhe mbështetjen e plotë të qeverisë për çdo mjet,ekspert të huaj”,- tha Halimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›