E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy në pranga për vdekjen e minatorit 65-vjeçar

Batër-Martanesh Hetohen edhe administratorët e firmës që kishin punësuar “pensionistin”

Dy persona kanë rënë në prangat e policisë, pas aksidentit tragjik të shembjes së tavanit të galerisë në minierën e kromit në “Batrën Lindore”. Vdekja e minatorit 65-vjeçar, Muharrem Omuri, është shoqëruar me arrestimin e dy personave teknikë të galerisë private ku punonte viktima. Burime nga Drejtoria e Policisë Dibër, bëjnë me dije për “Shqip”, se dy persona drejtues teknik të firmës private “L.B.M.LL.C” sh.p.k dhe përkatësisht inxhinier Seit Daci, drejtues teknik i punimeve në galerinë private kromnxjerrëse ku ndodhi aksidenti dhe Ahmet Cenameti, teknik. Sipas policisë, arrestimi i tyre u bë në flagrancë për veprën penale “shkelje të rregullave të sigurimit teknik në punë”. Ndërkohë, po sipas burimeve nga policia edhe tre administratorët e firmës private “L.B.M.LL.C” sh.p.k, do të hetohen në gjendje të lirë për punësim të paligjshëm të minatorëve, jashtë moshës së lejuar për të punuar në minierë, si dhe për plotësimin e kushteve të sigurisë në punë të minatorëve. Mesditën e së mërkurës ka humbur jetën 65-vjeçari Muharrem Omuri, nga Kalisi i Kukësit, i cili jetonte në Kamzë, Tiranë. Nga njoftimi për shtyp i Drejtorisë së Policisë Dibër merret vesh se nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se në galerinë nr.5 në “Batrën Lindore”, në thellësinë 600 metra nga hyrja kryesore, në nënkatin e parë, viktima ka qenë duke punuar së bashku me teknikun e kësaj galerie, Ahmet Cenametaj, kanë qenë duke bllokuar katin e parë të galerisë. Por, ndërsa 65-vjeçari po bënte kontrollin me levë në pjesën e tavanit të galerisë ku do vendosej bllokimi, nga tavani i këtij nënkati shkëputet një sasi minerali, që e zë nën vete duke i shkaktuar plagë të rënda me pasojë vdekjen e menjëhershme. Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, gjatë një takimi para pak ditësh me drejtues të Minierës së Bulqizës dhe pushtetarë vendorë, ka pohuar se kushtet e sigurisë në punë për minatorët, duhet të përmirësohen, gjë për të cilën sipas tij, nga ana e dikasterit që ai drejton është përfunduar hartimi i një plani të veçantë, për të vendosur rregulla të forta në drejtim të sigurisë në punë për minatorët. Por përkundër kësaj, prej gati dy muajsh METE ka shkarkuar nga puna inspektorin e RISHM-it për Qarkun e Dibrës, Kujtim Alliu, i cili është personi përgjegjës për plotësimin e kushteve të sigurimit teknik të galerive private në pellgun krommbajtës Bulqizë-Batër-Martanesh. Gjithsesi, sipas policisë, merret vesh se strukturat e policisë në bashkëpunim me Prokurorinë Dibër, vazhdojnë hetimet e mëtejshme në lidhje me këtë ngjarje, ku humbi jetën tragjikisht 65-vjeçari Muharrem Omuri, nëse kemi të bëjmë me një ngjarje aksidentale, apo me vepër penale atë të “shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë” për minatorët.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›