Plagoset me thikë kryepolici i Bashkisë së Tropojës
Një ngjarje e ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në qytezën e Bajram Currit ka rikthyer frikën dhe pasigurinë mes banorëve. Burime të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Kukësit tregojnë se pas një sherri me prapavijë të vjetër është plagosur rëndë me armë të ftohta shefi i policisë bashkiake, Avni Gjuriçi, 39 vjeç. Agresori është identifikuar dhe është G.Mulgeci 25 vjeç, i cili është larguar më pas në drejtim të paditur dhe ende po kërkohet nga policia. Burime nga vendi i ngjarjes tregojnë se Mulgeci e ka goditur me thikë 39-vjeçarin shumë afër zemrës, duke e lënë pa ndjenja në derën e një lokali të lojërave të fatit. Agresori ka përfituar nga errësira e natës dhe ndriçimi i dobët i rrugëve të një prej lagjeve të qytezës dhe e ka goditur kryepolicin e bashkisë me një thikë buke në befasi, ndërsa ky po dilte nga lokali. Një numër qytetarësh të cilët kanë parë skenën janë përpjekur t’i japin ndihmën e shpejtë të plagosurit dhe e kanë dërguar menjëherë në spital. Mjekët e spitalit, duke konstatuar gjendjen shumë të rëndë të 39-vjeçarit kanë kërkuar ndihmë nga kryeqyteti nga ku në orët e mëngjesit të djeshëm është dërguar një helikopter që e ka transportuar të plagosurin në Spitalin Ushtarak në Tiranë, në gjendje të rëndë për jetën. Ndërkaq, grupi hetimor i ngritur për këtë ngjarje pritet të zbardhë detaje të krimit. Burime të Komisariatit të Policisë së Bajram Currit thonë se mes agresorit dhe viktimës ka pasur një konflikt të vjetër dhe ka pak mundësi që krimi të jetë bërë për shkak të detyrës së viktimës. Autori i ngjarjes, 25-vjeçari Mulgeci, nga Tropoja, prej disa vitesh banonte në Durrës me familjen. Deri në orët e vona ai nuk është kapur nga policia, e cila ka pohuar se ka mbyllur të gjitha shtigjet e mundshme, ndërkohë që mësohet se janë bërë negociata me të afërmit e tij për t’u vetëdorëzuar.
#