Incidenti, në orët e fundit para inaugurimit të veprës
Pak orë para se të nisë qarkullimi normal në tunelin e Kalimashit, një punëtor është rrahur nga katër mirditorë që kanë tentuar të kalojnë nga njëri skaj i tunelit në tjetrin pa leje. Katër persona nga Mirdita, dy prej të cilëve ish-punonjës të firmës “Bechtel-Enka” kanë rrahur egërsisht një punëtor nga Kukësi, në frontin e punës afër mesnatës, sepse gjatë orëve të ditës nuk i kishte lejuar të kalojnë nëpër tunel. Pas ngjarjes, dy prej mirditorëve kanë përfunduar në pranga, ndërsa dy të tjerët po ndiqen në gjendje të lirë.
Kronika e policisëDy shtetas nga Mirdita janë ndaluar nga policia e Kukësit, pasi kanë rrahur punëtorin e Tunelit të Kalimashit, të cilit i kanë dëmtuar edhe makinerinë me të cilin punonte. Të ndaluarit janë Ilir Kola, 32 vjeç nga fshati Orosh dhe Petrit Ruci, 22 vjeç nga Rrësheni, të cilët në bashkëpunim kanë rrahur me mjete të forta një punëtor të kompanisë “Bechtel-Enka”, 54-vjeçarin F.Shahu nga Kukësi. Shkak është bërë kundërshtimi i punëtorit për të lejuar mirditorët të kalonin tunelin me makinë në anën tjetër. Punëtori në momentin e sherrit po lyente muret anësore me bojë diku nga mesi i Tunelit ndërsa është goditur nga të katër agresorët me mjetet të forta, duke i shkaktuar plagë të shumta në trup. Të katër personat e akuzuar kanë dëmtuar më pas mjetin me të cilin punonte Shahu, një furgon i bardhë me targa greke ku ka qenë e montuar pajisja për lyerjen e mureve të tunelit.
Pak minuta pas ngjarjes, rreth orës 23:00 viktima ka njoftuar sallën operative të policisë së Kukësit nga ku shumë shpejt drejt tunelit janë nisur forcat e policisë që kanë bërë ndalimin e të katër personave të akuzuar dhe i kanë shoqëruar në Komisariatin e Kukësit. Për dy prej tyre, përkatësisht Ilir Kolën dhe Petrit Rucin është dhënë nga gjykata masa e arrestit me burg pa afat, ndërsa dy tjerët A.Pregna dhe O.Ndou, përkatësisht 20 dhe 21 vjeç, do të ndiqen në gjendje të lirë. Ata akuzohen për “plagosje” dhe “dëmtim të pronës së tjetrit”.
Konflikti mes katër personave nga Mirdita dhe punëtorit të tunelit mësohet se e ka burimin te një përpjekje e tyre për të kaluar nëpër tunel në mënyrë që të mos i binin rrugës së vjetër. Por për të lejuar këtë do të duhej që punëtori, bojaxhiu në këtë rast të ndërpriste punën, ndonëse për çështje minutash. Mirëpo në ditët e shkuara ka pasur plot raste të tilla kur me lejen e menaxherit apo me forcë persona të caktuar kanë hyrë në tunel duke shkaktuar ndërprerjen e punës, jo për disa minuta, por për orë të tëra. “Kështu na thoshin, hajt se 10 minuta punë janë, mirëpo kur shkojnë për t’i shoqëruar në vajtje e ardhje na shkonte një orë kohë dëm, kështu është sabotuar ndoshta për një muaj të plotë inaugurimi tunelit”, tha një punëtor i turnit të dytë, me banim në Bicaj të Kukësit. Ai shtoi se gjatë muajve të fundit, e sidomos gjatë dimrit një numër personash me pushtet “hynin gati me dhunë duke mos pyetur për vonesat që na shkaktonin”.
#