Dy ore peng ne bagazh per 30 mije euro
Një 35-vjeçar me origjinë nga Dibra është marrë peng dje në Tiranë për më shumë se dy orë, për shkak të një borxhi që i kishte pengmarrësit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16.30 në rrugën “Gjergj Legisi”, ku Mensur Lita ka marrë forcërisht në automjetin e tij shtetasin Nazmi Pepa. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës, thanë se shkak është bërë borxhi 30 mijë euro që Pepa i kishte Litës. Me këto parë pengu kishte hapur një qendër interneti dhe dyshohet se merrej me një skemë mashtrimi.
Pas marrjes së informacionit, policia e krimeve të Tiranës ka ngritur disa pika kontrolli dhe për një kohë të shkurtër ka bërë të mundur lokalizimin e mjetit. Patrulla policore u vu në ndjekje të menjëhershme të automjetit dhe pengmarrësit, i cili ishte me një automjet të tip “Benz” dhe po udhëtonte në drejtim të qytetit të Durrësit.
Automjeti i pengmarrësit është “kapur” nga patrullat e policisë në afërsi të fshatit Domje të Tiranës. Në vendngjarje kanë mbërritur struktura të specializuara, që kanë të bëjnë me negocimet me pengmarrësit. Pas më shumë se 20 minutash Mensur Lita ka pranuar të bashkëpunojë me policinë dhe të lërë të lirë pengun. “Falë negocimeve të realizuara nga strukturat e policisë dhe ndërhyrjes së menjëhershme të saj, u arrit lirimi i shtetasit Nazmi Pepa, dhe kapja e shtetasit Mensur Lita, në afërsi të fshatit Domje në Tiranë, në ambientet e një pike servisi makinash, në pronësi të autorit. Paraprakisht, dyshohet se shkak i kësaj heqje të paligjshme të lirisë, të jetë një sasi parash ku shtetasi Mensur Lita ia ka dhënë në formë borxhi disa kohë më parë shtetasit Nazmi Pepa”, thanë burimet zyrtare nga Policia e Tiranës. Sipas tyre, ndaj shtetasit Mensur Lita është marrë masa e arrestit në flagrancë për konsumim të veprës penale të “heqjes së paligjshme të lirisë së personit”, parashikuar nga neni 110 i Kodit Penal.
Pas arrestimit të autorit, oficerët e policisë gjyqësore kanë marrë në pyetje pengmarrësin dhe pengun. Ata kanë shpjeguar se gjithçka ka filluar pas një mashtrimi. Pengu dyshohet se ka mashtruar dhe për pasojë ka filluar konflikti midis dy personave.
“Ndërkohë që do të fillojë procedimi penal edhe ndaj shtetasit Nazmi Pepa për konsumim të veprës penale të ‘mashtrimit’, pasi ky i fundit pas hetimeve, rezultoi të ketë mashtruar duke marrë hua një sasi parash edhe disa shtetasve të tjerë”, thanë burimet nga Policia e Tiranës.