E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në mbledhje grupi: “Tërhiqem nga Kodi me kërkesë të PS-së”



Kryeministri Berisha është shprehur gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura të Grupit Parlamentar të PD-së se do të tërhiqej nga Kodi Zgjedhor vetëm nëse do të kishte një kërkesë nga Partia Socialiste. Sipas burimeve nga grupi, kreu i PD-së ka konfirmuar se gjatë seancës së sotme parlamentare do të miratohet Kodi Zgjedhor i paraqitur nga Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit, Berisha iu përkushtua projektbuxhetit për vitin 2009. Ai tha se ky buxhet garanton zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme për qytetarët shqiptarë. Kryeministri u tregua i kujdesshëm të mos komentonte në asnjë moment grevën e 10 deputetëve të Kuvendit për Kodin Zgjedhor. “Ky është buxheti i zgjedhjeve të lira. Në këtë buxhet janë parashikuar të gjitha fondet që qytetarët shqiptarë, në këto zgjedhje, me një sistem të ri dhe me një legjislacion të ri, të votojnë të lirë si qytetarët europianë”, - është shprehur kreu i qeverisë. Kryeministri u shpreh se buxheti i vitit 2009 përmbush dhe mbështet plotësisht të gjitha objektivat e programit të kësaj qeverie dhe kësaj maxhorance dhe është buxheti i rritjes së shpejtë ekonomike dhe stabilitetit makro-ekonomik. “Unë kam bindjen se Shqipëria, edhe në vijim, nuk do të shqitet nga orbita e rritjes së shpejtë ekonomike. Në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ne kemi programuar një buxhet që garanton, në të gjitha rrethanat, stabilitetin makroekonomik të vendit, deficitin e përcaktuar buxhetor, normën e parashikuar të inflacionit dhe rritjen e shpejtë ekonomike”, - theksoi kryeministri.
Kryeministri vlerësoi se buxheti i shtetit është buxheti i dytë i çdo qytetari dhe prej tij përfitojnë direkt 800 mijë familje shqiptare. “Me këtë buxhet, pensionisti i fshatit që ka marrë 34 mijë lekë pension do të marrë 72 mijë lekë, pensionisti i qytetit të cilit i kishim premtuar se nuk do të ketë pension në qytet nën 100 dollarë, kalon në një mesatare prej 130 dollarë, infermierja që merrte 150 mijë lekë nuk do të marrë më pak se 310 mijë lekë, pra ka një mbidyfishim të rrogës, mjeku që merrte 190 mijë deri në 200 mijë lekë, nuk do të marrë më pak se 420 mijë lekë, mësuesi që merrte 220 mijë lekë, do të marrë së paku 440 mijë lekë”, - bëri të ditur kryeministri.

18 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›