Infermierët, punë sipas një protokolli të njëjësuar
Një libër xhepi, por që në fakt do të njihet si dokumenti themeltar i kujdesit infermieror, do të standardizojë detyrat e infermierëve në të gjithë vendin. Po ashtu, bashkëshoqërues i tij do të jetë edhe Kodi i Etikës, as shumë i përfolur në vitin 2009. Dje, në një takim me përfaqësuesit e Urdhrit të Infermierit kanë renditur në disa pika problemet që kanë sot këta punonjës dhe njëkohësisht edhe hapësirat e nevojshme për përmirësimin e kushteve spitalore dhe kujdesit ndaj pacientit.
Realizimi i regjistrit kombëtar dhe trajnimeve specifike për infermierët janë disa sugjerime të publikuara dje nga Urdhri i Infermierëve. Këto do të jenë edhe promotor të punës së tyre për 2010-ën. Qëllimi i këtyre propozimeve është përmirësimi i kujdesit shëndetësor në vend. Nga ana tjetër, diskutimet dhe sugjerimet mes bluzave të bardha, të publikuara zyrtarisht, synojnë të përmirësojnë kushtet në të cilat punojnë infermierët dhe rritjen e kapaciteteve të tyre profesionale.
Një nga projektet për vitin 2010 do të jetë edhe krijimi i një regjistri të dhënash për infermierët, mamitë apo fizioterapistët që aktualisht punojnë në Shqipëri. Përgatitje e dosjeve personale të çdo profesionisti me dokumentet e kërkuara, duke krijuar kështu për herë të parë një rrjet institucional evidencash.
Një nga pikat ku infermierët "do të lobojnë" është edhe Karta e Pacientit, dokument i cili nga njëra anë ofron informim dhe nga ana tjetër është mburojë në rast se bluzat e bardha abuzojnë me detyrën. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ky dokument do të afishohet si poster dhe do të vendoset në çdo mjedis spitalor.
Ekspozimi i tij synon informimin e popullsisë për cilësinë e kujdesit që duhet të marrin nga personeli shëndetësor.
Në strategjinë e 2010-ës të Urdhrit të Infermierit është parashikuar botimi dhe shpërndarja e Kodit Etik Deontologjik.
Urdhri i Infermierit ka parashikuar gjithashtu që në fillim të vitit të ardhshëm të trajtojë problematikën e kujdesit infermieror në Shqipëri, i cili aktualisht, sipas tyre, nuk është në nivelin e duhur. Kjo, sipas institucioneve shëndetësore, ka ardhur si pasojë e arsyeve të trashëguara, si dhe për vlerësimin e pakët që kanë pasur ata gjatë gjithë periudhës së tranzicionit.
Ky eveniment, sipas Urdhrit të Infermierit, ndodh për herë të parë në Shqipëri dhe mendohet se do japë rezultate pozitive në përmirësimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor.
Sh. Mezini