Tri komuna, ende të izoluara nga bora
Ditët e fundit në rajonin e Kukësit ka pasur reshje të dendura të shiut, çfarë ka sjellë edhe zbutjen e motit dhe lehtësimin e qarkullimit të mjeteve, kryesisht në rrugët nacionale. Rruga Kukës-Tiranë ka funksionuar pa shumë probleme pas shumë përpjekjesh të Ndërmarrjes së Rrugëve, e cila ka hedhur skorje në asfalt, ndërsa në pika të rrezikshme edhe kripë. Pas rreth një jave bllokimi, edhe makinat e tonazhit të rëndë kanë udhëtuar në Qafën e Malit drejt Tiranës. Por disa komuna vazhdojnë të mbeten të izoluara nga bora që ra para disa ditësh. Kështu në komunat Zapod, Grykë Çajë dhe Arrën ende nuk ka qenë e mundur të shkohet me mjete motorike. Lajmet nga këto komuna flasin për vështirësi të shumta si ndërprerje për orë të gjata të dritave për defekte të ndryshme, vështirësi në vijimin e shkollës nga ana e fëmijëve etj., por fatmirësisht nuk janë njoftuar emergjenca shëndetësore.
Su.Di.