E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy projekte punësimi, 550 vende të reja



Formim profesional falas për 300 të papunë

Vende pune për 250 të sapodiplomuar

Dy projekte të reja janë paraqitur nga Zyra Rajonale e Punësimit të Tiranës, të cilat do të mundësojnë punësimin e mbi 550 personave, 250 prej të cilëve do të jenë të sapodiplomuar. Kjo është mundësuar nga programi i nxitjes së punësimit nëpërmjet formimit në punë që është nismë e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, e që merr çdo vit një fond të caktuar nga qeveria.

Projekti për të papunët

Një nga dy projektet u dedikohet tërësisht punëkërkuesve të papunë të cilët janë regjistruar në Zyrën Rajonale të Punësimit në Tiranë ose do të regjistrohen ditët në vijim. Për këtë projekt ekziston një fond prej 20 milionë lekësh i vendosur në dispozicion nga buxheti i shtetit, ndërkohë që do të përfitojnë punë rreth 300 punëkërkues të papunë.

Në ndryshim nga vitet e kaluara, kur programet e nxitjes së punësimit e linin “derën e tyre” të hapur, këtë vit programi në fjalë do të favorizojë grupet shoqërore që janë më të diskriminuara. Në këtë mënyrë do të kenë përparësi personat që paguhen me ndihmë ekonomike apo me pagën e papunësisë, personat me aftësi të kufizuar apo romët.

Këta aplikantë do të kalojnë në kurset e formimit profesional që mundësohen nga Zyra e Punësimit, pa paguar e më pas do të marrin një certifikatë të njohur nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale e Shanseve të Barabarta.

Në këtë mënyrë, ky sistem u jep punëkërkuesve të papunë mundësinë e një profesioni, e më pas u mundëson atyre punësimin në sektorin privat apo në atë publik.

Projekti për të sapodiplomuarit

Për të dytin vit radhazi do të vijojë programi për punësimin e të sapodiplomuarve, të cilët do të mund të kryejnë stazhin menjëherë sapo të dalin nga bankat e shkollës. "Ky ishte një sukses i programit vitin e kaluar. Ndërsa tani jemi në pritje të studentëve që do të diplomohen brenda muajit gusht. Programi është shtrirë në të gjithë vendin, ndërsa për Tiranën pothuaj është dyfishuar si fondi, ashtu edhe numri i përfituesve. Nga 150 të rinj që përfituan vjet, këtë vit do të përfitojnë 250 të rinj që kanë mbaruar arsimin në dy vitet e fundit", - tha drejtori i Zyrës Rajonale të Punësimit të Tiranës, Thoma Melo.

Ky projekt, vitin e kaluar kishte qindra kërkesa për këtë program dhe sipas Ministrisë së Punës, ai ishte tërësisht i suksesshëm, çka bëri që të vijonte edhe një vit.

"Nxitja e të rinjve që pritet të diplomohen këtë vit, do të kryhet me një fond prej Zyrës së Punës në bashkëpunim me drejtuesit e fakulteteve dhe ne jemi duke përgatitur një fushatë informuese për të rinjtë, me synim që të gjithë të interesuarve t'u jepet një mundësi trajnimi dhe më pas punësimi", - tha drejtori i zyrës rajonale.

Aplikimi bëhet në Zyrat e Punësimit ku kandidatët duhet të paraqesin dokument identifikimi dhe vërtetim që janë të papunë, së bashku me dëshmitë e aftësive të tyre.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›