E Diel, 1 Nëntor 2026

Konsumi i energjisë, 30 % më shumë se vjet

Konsumi i energjisë elektrike po rritet në mënyrë drastike. Drejtori i Operatorit të Shpërndarjes së energjisë elektrike, Seit Dollapi, tregon në një intervistë dhënë për mediat vizive se konsumi i energjisë është rritur me 30 për qind në krahasim me verën e kaluar. Ndërkohë, ai deklaroi se nuk po kalojmë periudhë kufizimi të energjisë elektrike, por thjesht ndërprerje për shkak të remonteve, që për disa zona të vendit do të shkojnë deri në shtator. Për sa i përket çmimit të energjisë, ai deklaroi se OSSH nuk ka kërkuar asnjëherë rritje të çmimit.

Konsumi

“Aktualisht, vendi furnizohet thuajse 24 orë me energji elektrike, gjë që faktohet edhe nga të dhënat ditore konkrete dhe që OSSH i publikojmë çdo muaj. Sot, konsumohet mesatarisht në ditë 16.3 megavat/orë, ndërsa në të njëjtën periudhë të një viti më parë konsumi ka qenë rreth 13.8 milionë kilovatë/ orë. Pra, aktualisht konsumohen 2.5 milionë kilovatë/orë më shumë. Kjo do të thotë se efekti i kufizimeve është gati zero”, – deklaroi z. Dollapi, duke shtuar se “konsumi prej 16.3 milionë kilovatë/orë në ditë është realisht konsumi maksimal që ka pasur ndonjëherë vendi në këtë periudhë. Krahasuar me të njëjtën kohë të vitit të kaluar, rritja është thuajse 30 %”. Një pjesë e rëndësishme e rritjes së konsumit të energjisë vjen pikërisht nga kryeqyteti. Sipas z. Dollapi, vetëm në Tiranë është rritur konsumi me 1.3 milion kilovatë/orë në ditë. “Konkretisht, Tirana konsumon 5.2 milionë kilovatë/orë energji elektrike në ditë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar Tirana konsumon rreth 1.3 milion kilovatë/orë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Pra, shifrat, në këtë rast nuk janë aspak të vështira për t’u kuptuar dhe për të bërë krahasimin nga secili prej banorëve të kryeqytetit”, – tha ai.

Çmimi i energjisë

Seit Dollapi mohoi kategorikisht mundësinë e një rritjeje të re të energjisë elektrike. Ai deklaroi se Operatori i Sistemit të Shpërndarjes që ai drejton, nuk ka bërë në asnjë rast kërkesë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. “Nga ana jonë nuk ka asnjë kërkesë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike ndaj konsumatorëve”, – deklaroi, z. Dollapi, duke hedhur poshtë zërat e kundërt.

Ndërprerjet

Sipas Seit Dollapit, ndërprerjet që janë kryer ditët e fundit në mbarë vendin janë ndërprerje të energjisë elektrike për efekt të remonteve. “Këto remonte po kryhen si në drejtoritë e tensionit të lartë, pra remonte në nënstacione, si në drejtoritë zonale, ku po ndërhyhet për efekt te riparimit të linjave të tensionit të mesëm dhe të tensionit të ulët”, – tha ai. Kreu i OSSH-së deklaroi se çdo ditë dega teknike, departamenti i inxhinierisë për çdo zonë të vendit, dorëzon grafikun e remonteve, i cili është një grafik publik dhe lehtësisht i arritshëm, si nga qytetari që kërkon informacion, edhe nga media e interesuar për ndërprerjet. “Që të jemi të saktë dhe korrekt me qytetarët këto lista brenda orës 9 të mëngjesit, janë pranë departamentit inxhinierik, i cili është i hapur për t'ia vënë në dispozicion kujtdo që i kërkon”, – u shpreh z. Dollapi, duke mohuar në mënyrë kategorike kufizimet e energjisë, por duke shtuar se kufizime në zona të ndryshme të vendit do të ketë deri në muaj shtator, periudhë që do të përfundojnë edhe remontet.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›