Të dhënat e pacientëve në rrjet, në të gjitha spitalet
Brenda vitit 2008, ky sistem do të shtrihet në 12 qarqe të vendit
Në kryeqytet vlera e këtij projekti arrin 150 milionë lekë
Të dhënat e pacientëve do të jenë tek të gjitha institucionet shëndetësore të Tiranës: spitalet, qendrat shëndetësore, Instituti i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, Drejtoria e Shëndetit Publik, të cilat do të hidhen në një rrjet unik ku do të bëhet i mundur shkëmbimi i informacionit me forma të ndryshme. Ky është një projekt i iniciuar nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Health Metrics Network (Rrjeti i Matjes së Shëndetit) në kuadër të informatizimit të sistemit të informacionit shëndetësor. Projekti u prezantua dje në “Hotel Tirana International”, në seminarin “Vlerësimi i Sistemit të Informacionit Shëndetësor në Shqipëri”.
Projekti
Gjatë prezantimit të këtij projekti ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, tha se “qeverisja e mirë e sistemit shëndetësor ka nevojë për një sistem informacioni funksional”. Ai vlerësoi se “informacioni shëndetësor, klinik dhe joklinik, është thelbësor për politikëbërje, planifikim dhe programim, por mbi të gjitha, instrumenti kryesor i monitorimit dhe vlerësimit të performancës së sistemit shëndetësor”.
Duke u ndalur tek projektet e ndërmarra në këtë drejtim për vitin 2008, ministri Ndoka u ndal tek krijimi i rrjetit për lidhjen intranet të institucioneve kryesore shëndetësore të Tiranës: MSH-së dhe Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe të gjitha spitaleve të tjera, Institutit të Shëndetit Publik, Autoritetit Shëndetësor Rajonal dhe institucioneve të tjera të rëndësishme në Tiranë. Rrjeti do të kryejë transmetimin në rrjet të dhënave video dhe audio dhe të dhënave të tjera si pjesë e një sistemi të vetëm komunikimi për t’u shërbyer institucioneve të sistemit tonë shëndetësor.
Informatizimi
Sipas drejtorit të Institutit të Shëndetit Publik, z. Gazmend Bejtja, ekziston aktualisht informacioni, çdo institucion ka një sistem informacioni, në bazë të cilit operohet, merren vendimet, bëhet vlerësimi, politikat, etj, por shkëmbimi, lidhja mes institucioneve, ka lënë për të dëshiruar dhe ky projekt synohet në këtë drejtim.
Për sa i përket informacionit që do të ofrohet, ai do të jetë klinik dhe joklinik. Informacioni joklinik është informacioni që ka të bëjë me të dhëna statistikore administrative të institucioneve dhe informacioni klinik ka lidhje me rastet klinike sëmundjet e caktuara etj. Me këtë projekt synohet që informacioni të jetë mes institucioneve për përmirësimin e punës së të gjitha institucioneve dhe në një fazë të dytë do të përfshihen dhe institucione të tjera të vendit.
Sistemi aktual i informacionit shëndetësor në Shqipëri vlerësohet i copëzuar, me cilësi të dobët, nuk jepet në kohën e duhur dhe shpesh nuk hyn në punë për interesa të vendimmarrjes në aspektet klinike, administrative dhe financiare. Ndërkohë, informacioni shëndetësor konsiderohet një kërkesë bazë për vendimmarrje racionale në sistemin e shëndetësisë.
Somario
Vetëm për Tiranën vlera e projektit arrin në 150 milionë lekë, ndërkohë që synohet që ky projekt të realizohet brenda vitit në gjithë vendin
Vlorë
Përgatitje për sezonin turistik
Pushuesve që frekuentojnë Plazhin e Ri dhe mjediset e tjera të pushimit përgjatë bregdetit të Vlorës, u ofrohet shërbim shëndetësor i vazhdueshëm, gjatë gjithë ditëve të javës.
Burime pranë Drejtorisë së Shëndetësisë bënë të ditur se "personeli i qendrës shëndetësore në lagjen e Ujit të Ftohtë është vënë në dispozicion të pushuesve për të gjithë sezonin dhe do të punojë pa ndërprerje gjatë gjithë ditëve të javës, duke përfshirë edhe të shtunat dhe të dielat". Sipas burimeve të mësipërme, ky vendim është marrë në kuadrin e masave të planifikuara nga Drejtoria e Shëndetësisë për t'u ardhur në ndihmë pushuesve që kanë zgjedhur bregdetin e Vlorës. Plazhi i Ri dhe pjesa tjetër bregdetare e Ujit të Ftohtë është zona më e frekuentuar gjatë sezonit veror. Këtu vijnë jo vetëm mijëra qytetarë vlonjatë, por edhe pushues nga rrethe të ndryshme të vendit apo turistë të huaj. Në këto kushte, shërbimi shëndetësor 24 orë gjatë gjithë ditëve të javës, është vlerësuar si një domosdoshmëri për të qenë pranë pushuesve në çdo situatë. Kjo masë u është shtuar shërbimeve të tjera, që janë futur për herë të parë këtë sezon, sikundër janë vendosja e kullave të vëzhgimit dhe ruajtësve të vijës bregdetare etj.
Industria
Rritet punësimi dhe pagat
Rritja e vëllimit të prodhimit në sektorin e industrisë në 3 muajt e parë të vitit 2008 ka ndikuar pozitivisht edhe në dy tregues të tjerë: punësimin dhe pagat, mjaft të rëndësishme për efektet sociale dhe përmirësimin e jetesës, aq më shumë në kushtet e një presioni në rritje të inflacionit.
Numri i të punësuarve në sektorin e industrisë në tërësi rezulton të jetë rritur me 10% në tremujorin e parë 2008, krahasuar me tremujorin e parë 2007, ndërsa pagesat u rritën me 24.9%. Kjo rritje është e krahasueshme dhe me 3-mujorin e fundit të vitit 2007, që sipas INSTAT-it, llogaritet në 4.4% më shumë për sa i përket punësimit dhe 4.3% për pagat.
Numri i të punësuarve në sektorin e industrisë nxjerrëse në tremujorin e parë 2008 u rrit 13.8% në krahasim me tremujorin e parë 2007, ndërsa pagat u rritën 29.3%. Ndërsa krahasuar me 3-mujorin e fundit 2007, numri i të punësuarve u rrit me 3.5%, ndërsa pagat me 5.2%.
Gjatë të njëjtës periudhë numri i të punësuarve në sektorin e energjisë elektrike dhe furnizimit me gaz, avull dhe ujë u rrit 10%, ndërsa pagat 14.8 për qind, krahasuar gjithmonë me 3-mujorin e parë 2007.
Edhe në industritë përpunuese, kryesisht të veshjeve, tekstileve, letrës etj. numri i të punësuarve u rrit 9.6% krahasuar me tremujorin e parë 2007. Gjithashtu, kjo rritje e nivelit të punësimit është shoqëruar me rritjen e pagave, e cila vlerësohet nga INSTAT-i në 28.2%.
Has
Drejt fundit rruga Krumë – Qafë Prush
Janë përshpejtuar ritmet e punimeve për rikonstruksionin tërësor të aksit rrugor Krumë – Golaj – Qafë Prush, që lidh rrethin e Hasit me Kosovën. Me një fond prej 50 milionë lekësh, akorduar nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, punimet kanë nisur në fillim të këtij viti.
Deri tani është kryer një volum prej afro 60 për qind i punimeve, kryesisht në zgjerim të trasesë së rrugës dhe ndërtim urash, tombinosh e vepra të tjera arti. Pritet që së shpejti të nisë edhe asfaltimi në gjithë gjatësinë e rrugës. Punimet e këtij aksi rrugor me gjatësi prej 17 kilometrash po kryhen nga firma ndërtuese "Geci".
Firma ka gjetur edhe mirëkuptimin e banorëve të komunës së Golajt, në territorin e së cilës shtrihet rreth 80 për qind e gjithë rrugës. "Ky është ndër investimet më të mëdha të kryera në territorin e kësaj komune që nga viti '90", - tha kryetari i komunës së Golajt, Adem Lala.
Përfundimi i punimeve në këtë aks rrugor parashikohet t'i japë një hov zhvillimit të marrëdhënieve social-ekonomike të krahinës së Hasit me Kosovën