Gjykata e Lartë pranon padinë e nënës së Edi Ramës
Shortet
Gjykata e Lartë ka pranuar padinë e zonjës Aneta Rama, nëna e kryesocialistit Edi Rama, që i kërkoi pothuajse një muaj më parë kësaj gjykate të procedojë Kryeministrin dhe të vendosë një shpërblim dëmit të shkaktuar ndaj saj. Pas hedhjes së shortit është vendosur që Kolegji të kryesohet nga gjyqtarja Evgjeni Sinoimeri, ndërkohë që është pranuar për t’u gjykuar edhe padia e biznesmenit Koço Kokëdhima kundër Kryeministrit Berisha. Kjo padi do të ketë relatues gjyqtarin Guxim Zenelaj. Kryeministri Berisha është paditur në muajin dhjetor nga Aneta Rama për shpifje të kryer botërisht në dëm të saj. Zonja Aneta Rama iu drejtua, pas deklaratave të Kryeministrit kundër saj dhe familjes së saj, Gjykatës Supreme, ndërkohë që për Kryeministrin kjo është padia e tretë që hidhet në shortin me gogla dhe caktohet nga një Kolegj, duke llogaritur këtu edhe atë të biznesmenit Tan Dulaku, po për shpifje.
#