Taçi nuk gjendet asgjëkundi, seanca gjyqësore shtyhet
Në datat 17 tetor, 22 tetor, 7 nëntor, 11 nëntor 2008, një pjesë e mësuesve dhe drejtuesve të shkollës “Nobel” kishin seancën e parë gjyqësore me z. Taçi, administrator i kësaj shkolle dhe njëkohësisht president i kompanisë “Taçi Oil”. Seancat u shtynë për së dyti apo për së treti, pasi zoti Taçi nuk kishte marrë njoftim!
Siç jeni bërë me dije nga disa shkrime të gazetës “TemA”, në shkollën “Nobel” ka ndodhur diçka e pazakontë. Një keqpërdorim i shkollës, i stafit të saj, i nxënësve e prindërve të kësaj shkolle nga zoti Taçi. Një konflikt i rëndë midis tij nga njëra anë dhe të gjithë mësuesve e drejtuesve të shkollës nga ana tjetër, si rrjedhojë e të cilit të gjithë mësuesit u larguan nga shkolla, duke refuzuar firmosjen e kontratave për vitin shkollor 2008-2009 dhe rreth 60 % e nxënësve u larguan nga kjo shkollë. Z. Taçi shkoi edhe më tej. Edhe pse mësuesit dhe drejtori i shkollës kishin punuar deri më 1 korrik 2008, edhe pse kontratën e punës e kishin deri më 30 gusht, edhe pse i gjithë stafi pedagogjik ishte me lejen e zakonshme, ai ndërpret marrëdhëniet financiare për periudhën qershor, korrik, gusht 2008, duke demonstruar një arrogancë të paparë.
Por z. Taçi nuk po gjen dot qetësi. Nuk po gjen qetësi, sepse nuk po di si të justifikojë paratë e marra nga një kredi në bankën “Emporiki” në maj 2007, si dhe paratë e marra nga një kredi e dytë nga banka NBG në prill 2008, të dyja me të njëjtin kolateral, shkollën “Nobel”. Sipas dokumenteve autentike nga bankat, rezulton se 1.090.000 Euro nga këto shuma, ia ka kaluar për ndihmë kompanisë “Taçi Oil”, ndërsa pjesa tjetër mbetet për t’u verifikuar. Por një gjë është e sigurt, një pjesë e konsiderueshme e këtyre parave nuk janë përdorur për qëllimin, për të cilin janë marrë, pra, jo për shkollën “Nobel”. Është e çuditshme se si z. Taçi me mundin e djersën e mësuesve, nxënësve, prindërve të kësaj shkolle, paguan klubin Milan dhe lojtarët e këtij klubi, që për hir të së vërtetës janë më të varfër se mësuesit shqiptarë!
Mirëpo z. Taçi nuk po gjendet për të firmosur ftesën e gjykatës! Nuk gjendet, edhe pse ftesat janë shpërndarë që në shtator apo tetor 2008. Pra, për dy muaj rresht posta nuk e gjen dot z. Taçi. Nuk gjendet z. Taçi as në rezidencën e tij zyrtare në “Sky Tower”, në mes të Tiranës, nuk gjendet dot as edhe një punonjës i tij në këtë rezidencë, megjithëse ata janë me dhjetëra. Nuk gjendet z. Taçi as në shkollën “Nobel”, nuk gjendet as në studiot televizive, ku çudit njerëzit me pasuritë e tij (paçka se fëmijëve të mësuesve të papaguar nga ai, mund t’u ketë munguar edhe buka për tre muaj), nuk gjendet as në konferencat për shtyp, nuk gjendet, as kur pret e përcjell Milanin e madh. Nuk gjendet ky njeri asgjëkundi. Nuk njihet ky njeri fare në Tiranë, paçka se për gjithë korrespondencën përpara seancës gjyqësore ai gjendej lehtë, madje brenda ditës. Pra, ai nuk është! Po ku është? Dikush thotë se ai po punon për një “projekt të madh” për të përballuar disa gjyqe, ku 4 apo 5 i ka vetëm me mësuesit dhe drejtuesin e shkollës “Nobel”; dikush thotë, se po punon për të blerë një klub futbolli dhe është tepër i zënë, dikush thotë se ka shkuar në qytetin e tij të lindjes në Lushnjë. Pra, çfarë nuk flitet për të, por ai ku është? Ai minimalisht duhet të gjendet dhe minimalisht duhet të paraqitet në gjyq, se iu ka hequr bukën e gojës mësuesve, se ka keqpërdorur dhjetëra nxënës e qindra prindër, se ka marrë pronën e tjetrit (aksionerit dhe njëkohësisht drejtorit të shkollës “Nobel”) dhe në emër të tij, por pa firmën dhe pëlqimin e tij, ia ka lënë peng bankës NBG për marrjen e kredisë. Ai me siguri që do të gjendet, sepse e presin mësuesit e shkollës “Nobel” dhe fëmijët e tyre. Sigurisht, e pret edhe një opinion publik, pasi të luash me shkollën, dijen, diturinë, është njësoj sikur të luash me zjarrin.