Dokumenti i Ban Ki-Moon nuk rrezikon pavarësinë e Kosovës
Serbët festojnë marrëveshjen ndërmjet OKB dhe Serbisë, të cilën Ban Ki-Moon e ka finalizuar në një dokument prej gjashtë pikash për Kosovën. Qeveria serbe e proklamon si “triumf” politik në favor të mbajtjes së Kosovës si pjesë integrale të saj. Prishtina zyrtare dje refuzoi të pranojë dokumentin kështu siç është dhe paralajmëroi se nuk do ta vërë në praktikë marrëveshjen në fjalë. Kosovarët e konsiderojnë dokumentin si element që do t’i lejonte një shteti të huaj të përzihet në punët e brendshme të shtetit kosovar.
Sa arsye kanë serbët të sillen si triumfatorë?
Cila është përmbajtja e dokumentit dhe çfarë obligon ai? Para së gjithash: vërtet do të kenë mundësi serbët që nëpërmjet këtij dokumenti të diktojnë jetën politike në Kosovë, respektivisht të përzihen në punët e brendshme të saj.
1. Spekulimet
Në esencë dokumenti i garanton OKB që edhe më tutje të ketë kompetenca vendosëse në segmente të caktuara të politikës ndërkombëtare në Kosovë. Kompetenca që kryekëput kanë të bëjnë me mbrojtjen e minoritetit serb në Kosovë. Me këtë dokument OKB redukton misionin e saj nga instanca autoritative për mbarë Kosovën në një organizatë që direkt e indirekt (nëpërmjet EULEX) do të kujdeset për respektimin e të drejtave dhe lirive të pakicës serbe në enklavat e saj.
Nga analistë serbë e shqiptarë dokumenti interpretohet në këtë mënyrë: Ban Ki-Moon iu jep serbëve në lloj “Kushtetute” në dorë, e cila iu mundëson atyre të krijojnë shtet paralel brenda shtetit të Kosovës. Një shtet që do të organizohej nën diktatin e Beogradit e që do të mbrohej nga OKB e Perëndimi.
Shikuar sipërfaqësisht, dokumenti edhe le mjaft hapësirë për spekulime e interpretime të tilla, mirëpo analizuar nga konteksti ligjor dhe objektiv, shihet qartas se më shumë kemi të bëjmë me një marrëveshje provizore, një akt preventiv ndaj eskalimeve të mundshme ndëretnike gjatë instalimit të EULEX në Kosovë e Serbi sesa me ndonjë “strategji” afatgjatë për rregullimin e raporteve shqiptaro-serbe në Evropë.
2. Thelbi i dokumentit
Ja pikat e kontestuara të dokumentit:
Pikat 1 deri në 4 të dokumentit përshkruajnë procesin e dialogëve ndërmjet Serbisë dhe OKB, si dhe rolin që do të ketë BE pas rikonfigurimit.
Duke filluar nga pika 5, ku bëhet fjalë për policinë në enklavat serbe, dokumenti bie ndesh me synimet e qeverisë së Kosovës dhe EULEX për të shtrirë pushtetin e tyre në mbarë vendin.
Aty parashihet që policia nëpër enklavat serbe të jetë edhe më tej nën kontrollin e OKB dhe t’i japë llogari vetëm asaj.
Pikat 6 dhe 9 kërkojnë që kufijtë edhe më tutje të jenë nën kontrollin e KFOR dhe doganat të administrohen nga oficerë ndërkombëtarë. Pika 7 e titulluar si “Drejtësia” i referohet konkretisht gjykatës së Mitrovicës, e cila do të vazhdojë të jetë nën kontrollin e OKB dhe nuk ka të bëjë fare me Jurisprudencën kosovare si tërësi.
Në fund, në pikën 10 të tij, dokumenti kërkon nga autoritetet vendore e ndërkombëtare respektimin e trashëgimisë serbe në Kosovë. Me theks të veçantë këtu merret në mbrojtje institucioni i Kishës.
3. Fakte dhe Kontradikta
Qëndrimi i fundit i Ban Ki-Moon është rezultat i një serie debatesh e diskutimesh ndërmjet BE dhe stafit të tij rreth statusit të OKB pas zbarkimit të misionit EULEX. Problemi kyç në këto bisedime nuk ka qenë se OKB – si instancë – mohon pavarësinë dhe shtetin e Kosovës, por kërkimi i një modeli, një zgjidhjeje që do të mundësonte mbajtjen nën kontroll të situatës ndëretnike dhe paralelisht do t’i ndihmonte qeverisë demokratike serbe që të krijojë kushtet për të pranuar realitetin pa krijuar trazira të brendshme.
4. Çfarë humb Kosova me këtë dokument?
Pikat e kontestuara 5 dhe 7, nëpërmjet së cilave kërkohet që gjykata dhe policia nëpër enklavat serbe të jenë nën kontrollin e OKB e jo të qeverisë së Kosovës dhe EULEX, janë produkt i drojës që mbizotëron në kancelaritë diplomatike ndërkombëtare se si do të zhvillohej situata, nëse qeveria kosovare dhe EULEX dhunshëm do të merrnin nën kontroll viset me shumicë serbe: situata do të eskalonte dhe zërat për copëtimin e Kosovën do të intensifikoheshin. Qeveria serbe përkundër garancive dhënë ndërkombëtareve që nuk do të rrahë tupanin e ndarjes së Kosovës, nga tensioni i brendshëm do të detyrohej të ecë pas erërave etno-nacionaliste dhe të bëjë edhe njëherë lojën e rrezikshme të zjarrit dhe pushkës.
Ndërkaq, pikat e tjera të dokumentit ose janë në favor të Kosovës, ose kanë karakterin kulturor, të cilat ashtu i garanton Kushtetuta e Kosovës, që për bazë ka pakon e Ahtisaarit. Kosova ende nuk është në gjendje të ruajë kufijtë e saj (pika 9), prandaj KFOR është zgjidhja më adekuate që ekziston; qeveria kosovare deri tani është zotuar qindra herë se do të mbrojë komunitetet dhe trashëgimitë e tyre kulturore (pika 10), kështu që në këtë plan s’ka asgjë të re. Ndërsa pika 8, e cila merret me infrastrukturën dhe transportin, qëndron në çdo marrëveshje ndërmjet shteteve fqinje që bashkëpunojnë në fushën e tregtisë, energjisë e kështu me radhë.
Siç shihet, spekulimet rreth asaj se OKB saboton apo mohon pavarësinë e Kosovës, nuk qëndrojnë.
Përndryshe do të ishte fare alogjike, nëse timonierët e EULEX (shtete që kanë pranuan dhe mbrojnë sovranitetin e Kosovës dhe që përbejnë KS të OKB) t’i përuleshin një dokumenti a plani që do të asgjësonte të gjitha sukseset e tyre deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Përkundrazi, dokumenti i Ban Ki Moon përdoret në këtë rast si një mjet për lehtësim të një misioni tjetër, pa përdhosjen e nacionalizmit serb.
5. Faciti
Dokumenti në asnjë pjesë të tij nuk i jep mundësi Serbisë që ndonjëherë të përzihet në punët e brendshme të Kosovës.
Natyrisht që në këtë kontekst Kosova humb e Serbia fiton kohë. Mirëpo alternativë tjetër, pas destabilizuar rajonin aktualisht nuk ka. Serbia ende nuk është gjendje të mbajë veten nën kontroll.
Qeveria e Tadiçit ka vend për triumf, sepse ka fituar kohë, por jo se ka rimarrë Kosovën. Këtë as që e pretendon më Beogradi. Prishtinës as kësaj radhe nuk i duhet paniku, por zgjuarsia.
U mbetet kosovarëve tash që të përpilojnë strategjitë dhe ofensivat e tyre se si do t’ia dalin që koha radhën tjetër të punojë për ta.