E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia, përcillen në banesën e fundit viktimat, banorët e Gjirokastrës në protestë

Nga Bledar Lumani

Përcillen për në banesën e fundit, nënë e bijë, të vdekura nën rrënojat e pallatit të shembur në Gjirokastër. Familja Dalani ka përcjellë dje në mesditë Valbona dhe Anxhela Dalanin, në një ceremoni ku i janë bashkuar qindra qytetarë dhe drejtues të pushtetit lokal të qytetit të Gjirokastrës. Ceremonia është zhvilluar në varrezat e qytetit, ku dhe i është dhënë lamtumira e fundit Valbona dhe Anxhela Dalanit. Këto të fundit gjetën vdekjen në rrënojat e pallatit ku banonin, kur ai brenda pak sekondash u shemb dhe i zuri poshtë. Trupat e tyre u gjetën dy ditë më parë, në një largësi prej gjashtë metrash nga njëra-tjetra. Fillimisht, forcat e policisë nxorën në sipërfaqe trupin e pajetë të Valbona Dalanit dhe më pas edhe të vajzës së saj, Anxhelës, trupi i së cilët u gjet i padëmtuar. Ndërkohë, vetëm pak para ceremonisë mortore të familjes Dalani, iu dha lamtumira e fundit edhe 65-vjeçares Parashqevi Zoto, e cila humbi jetën nën rrënojat e pallatit të shembur në lagjen “11 Janari”, së bashku me Valbona dhe Anxhela Dalanin. Sakaq, po gjatë ditës së djeshme, banorët e Gjirokastrës kanë zhvilluar një protestë në sheshin kryesor të qytetit. Ashtu siç ishte lajmëruar që dy ditë më parë, banorët e qytetit jugor kanë dalë në protestë, ku kanë kërkuar zbardhjen e ngjarjes së rëndë, e cila mori 3 jetë të pafajshme dhe la pa strehë e të traumatizuar dhjetëra të tjerë. Protesta ka nisur në sheshin kryesor të qytetit “Çerçiz Topulli”, teksa banorët janë mbledhur me pankarta e parulla në duar. Ata kanë kërkuar largimin e drejtuesve lokalë, të cilët i bëjnë përgjegjës për ngjarjen e ndodhur mesditën e së dielës, ku u shemb pallati pesëkatësh. “Jemi këtu për t’u dhënë lamtumirën e fundit viktimave të pafajshme të korrupsionit dhe të kërkojmë largimin e drejtuesve lokalë që drejtojnë klanet ndërtimore”, - janë shprehur protestuesi. Protesta, e cila është zhvilluar e qetë dhe nën monitorimin e uniformave blu të policisë, ka zgjatur për rreth gjysmë ore.

Shembja e pjesës së mbetur të pallatit

Ditën e djeshme ka nisur dhe shembja e pjesës së mbetur të pallatit pesëkatësh, rrëzimi i të cilit mesditën e së dielës shkaktoi tre viktima. Operacioni për prishjen e tij u njoftua nga prefekti i qarkut të Gjirokastrës, Spiro Ksera, i cili bëri të ditur se u vendos që prishja të bëhej me mjete të rënda dhe jo me shpërthim. Kjo, me qëllimin për të mos shkaktuar panik te banorët e lagjes. “Pas konsultimit me ekspertë të Regjimentit të Infrastrukturës në Ministrinë e Mbrojtjes, u ra dakord që për të shmangur dëmet e tjera të mundshme dhe pasigurinë te banorët, rrëzimi i objektit të mos bëhet me lëndë plasëse, por me mjete të rënda”, - u shpreh, Ksera. Ndërkohë, Major Neflli Devolli nga Ministria e Mbrojtjes siguroi se “punimet për shembjen e objektit nuk do të kenë asnjë rrezik për banorët që jetojnë pranë kësaj ndërtese”. Për shembjen e pjesës së mbetur të pallatit janë angazhuar forca të policisë së rendit, ushtrisë etj.

Shërbimi gjeologjik kërkon përfshirjen në KRRT

Shembja e pallatit pesëkatësh mesditën e së dielës në qytetin e Gjirokastrës, ku gjetën vdekjen tre persona, ka bërë që Shërbimi Gjeologjik shqiptar të kërkojë përfshirjen e një gjeologu në radhët e Këshillit të Rregullimit të Territorit, për çdo bashki apo komunë. Kjo, duke qenë se, sipas këtij institucioni, studimi gjeologjik, kur dorëzohet në dosje, bashkë me dokumentacionin tjetër për lejen e ndërtimit, nuk kontrollohet. Në rastin e ndërtimit të pallatit tetëkatësh në Gjirokastër nga firma “Arti” sh.p.k., studimi gjeologjik ishte bërë privatisht nga një ish-punonjës i këtij shërbimi, por ai nuk është marrë në konsideratë nga ndërtuesi. “Problemi mbetet te licencat që jepen nga Ministria e Punëve Publike. Nuk ka asnjë gjeolog specialist që të marrë licencë, ndërkohë që të pajisur me këtë dokument, janë ata që sapo kanë mbaruar shkollën”, - u shpreh Adil Neziraj, drejtor i Shërbimit Gjeologjik shqiptar. Sakaq, një grup gjeologësh po bëjnë ekspertizën e studimit gjeologjik që iu bë zonës së ngjarjes së rëndë në Gjirokastër, ku u shemb pallati, ndërsa po studiohet edhe për vazhdimësinë e shembjes së dheut në rrugën në drejtim të kalasë

Shembja e pallatit, 9 të prangosur si përgjegjës për tragjedinë

Shembja e pallatit në Gjirokastër ka çuar deri në tani në prangat e policisë 9 persona, teksa është shpallur në kërkim edhe një i dhjetë. Policia bën të ditur se të prangosurit akuzohen si përgjegjësit kryesorë të tragjedisë së rëndë të ndodhur katër ditë më parë. Kështu, mbi bazën e provave, policia ka arrestuar nën akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” Alfred Mamanin, 49 vjeç, me arsim të lartë, shef i Urbanistikës në Bashkinë e Gjirokastrës, Admir Shehajn, 30 vjeç, përgjegjës në Inspektoratin e Ndërtimit në Bashkinë Gjirokastër, si dhe Afërdita Papamihalin, 56 vjeç, sekretare e KRRT në Bashkinë e Gjirokastrës. Ndërsa janë arrestuar në flagrancë, nën akuzën e “Shkeljes së rregullave në punë” Jani Ndriço, 45 vjeç, ekskavatorist në firmën “Arti” sh.p.k., Thanas Llahana, 58 vjeç, inxhinieri gjeolog, Njazi Çobani, 45 vjeç, arkitekt i shoqërisë së ndërtimit “Arti” sh.p.k., Luan Bufi, 58 vjeç, inxhinier ndërtimi i shoqërisë së ndërtimit “Arti” sh.p.k., Sotiraq Janora, 43 vjeç, president dhe drejtues teknik i shoqërisë së ndërtimit “Arti” sh.p.k. Ndërkohë, një ditë më pas është arrestuar edhe Gjergji Meçe, inxhinier zbatues i shoqërisë së ndërtimit “Arti” sh.p.k., teksa tashmë pritet edhe prangosja e Aristotel Haxhit, bashkëpronar i shoqërisë së ndërtimit “Arti” sh.p.k. Sipas hetimeve të deritanishme, shembja e pjesshme e pallatit ka ardhur si pasojë e punimeve për ndërtimin e një pallati tetëkatësh nga shoqëria e ndërtimit “Arti” sh.p.k.

Berisha: Gërdeci si “Gjirokastra” ishte papërgjegjshmëri njerëzore

Kryeministri, Sali Berisha, e krahasoi dje tragjedinë e Gërdecit me atë të Gjirokastrës, kur tha se shpërthimin e 15 marsit e shkaktoi papërgjegjësia njerëzore. “Rreziqet janë në ndërtime, rreziqet janë në stacionet e pompimit të benzinës, të cilat në Shqipëri janë tri herë më shumë nga ç’duhet të jenë për frymë, sepse ka një standard për ndërtimin e tyre. Rreziqet shkaktuan hatanë e Gërdecit, e cila po hetohet dhe do të hetohet pa asnjë mëdyshje, duke nxjerrë çdo përgjegjësi. Dhe është shumë e rëndësishme. Por, të grumbullosh qindra tonelata barut në një vend, pavarësisht nga se udhëhiqesh, dëshmon shkallën më absolute të papërgjegjësisë njerëzore. Ndaj, ju garantoj se qeveria po bën përpjekje të madhe për një qëndrim të ri ndaj rreziqeve në tërësi dhe për një platformë, e cila mbron qytetarët prej rreziqeve. Por, në këtë kontekst është i domosdoshëm kontributi i qytetarëve, roli dhe qëndrimi i tyre. Ju garantoj se nuk do të bini në vesh të shurdhër. Vërtet një problem mund të mbyllet midis dy zyrtarëve, por s’do mund të mbyllet kurrë në të gjithë hierarkinë shtetërore”, - tha Berisha.

“Nuk duhet të nënshtrohemi dhe të mësohemi me rreziqe, por t’i denoncojmë ato si problemin më kryesor. Ky është interesi i çdo qytetari, të mos pranojë që babëzia të zërë rrugët dhe rrugicat e qyteteve tona, siç ka ndodhur dhe po ndodh. Qeveria do të vazhdojë të verifikojë çdo leje dhe çdo ndërtim. Por, unë kam një apel për të gjithë qytetarët e këtij vendi: Të mos ambientohemi me rrezikun, ta denoncojmë atë si njerëz të qytetëruar, më përgjegjësinë qytetare që ka njeriu i qytetëruar dhe t’i shmangim rreziqet, sepse nuk i meritojmë”, - vijoi më tej kryeministri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›