E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si Gërdeci është, por Gërdeci s’është kështu!

Nga Mero Baze

Kryeministri, Sali Berisha, nxitoi të gjejë më në fund një krahasim të gjetur me Gërdecin. Tragjedia e Gjirokastrës, për të cilën janë dukshëm përgjegjës qeveritarët socialistë të Gjirokastrës, ishte një rast i artë për të. I ndihmuar nga heshtja e Ramës dhe mungesa e nuhatjes së tij politike për të vënë gishtin mbi shkakun real të asaj tragjedie, Sali Berisha arriti të trimërohej dhe të përmendte se rasti i Gjirokastrës është i ngjashëm me rastin e Gërdecit, ku papërgjegjësia njerëzore bën masakra mbi qytetarët.

E vërteta është se Gjirokastra është e ngjashme me Gërdecin në të gjitha detajet e saj, përjashto numrin e viktimave dhe sasinë e dëmeve. Por kjo nuk ka rëndësi. Ajo ishte realisht një Gërdec. I vetmi detaj fals i futur në ngjashmërinë e këtyre dy tragjedive është shkaku. Në të dyja shkaku nuk është papërgjegjësia njerëzore, por korrupsioni shtetëror.

Gërdeci u kthye në një tragjedi, jo për shkak të papërgjegjësisë njerëzore. Papërgjegjësia njerëzore aty u prodhua nga arroganca e biznesmenëve që ishin të lidhur me familjen në pushtet. Njeriu që ndërtoi fabrikën si përfaqësues i firmës SAC, një emër i huazuar për mbulesë nga SHBA, është vëllai jo-biologjik i djalit të kryeministrit, Sali Berisha. Rrahman Selmanllari, që sipas prokurorisë është kontraktuar si ndërtues nga pala amerikane, është thjesht sikur të thuash është Shkëlzen Berisha. Ai është dora e zgjatur e tij në çdo punë dhe biznes, që nga blerjet e tokave, pjesët në biznesin e ndërtimeve dhe deri në Gërdec. Është njeriu më i afërt i tij, miku i tij më i vjetër dhe shoku i tij më besnik. Ortak me Mihal Delijorgjin ai ndërtoi fabrikën e vdekjes dhe me arrogancën e njeriut që çdo mbrëmje raporton te djali i kryeministrit, ai bëri atë tragjedi që bëri. Por dhe pa e bërë atë tragjedi, ai ishte duke bërë një korrupsion masiv, një shfrytëzim barbar të pushtetit dhe një njollosje të portretit të njeriut me duar të pastra në krye të vendit. Banorët e zonës e identifikonin atë si fabrikë e familjes së kryeministrit dhe pas ngjarjes së dhimbshme u provua se aty mbetën të vdekur dhe të afërm të tij.

Gjirokastra është po ashtu. Biznesmeni që ka guxuar të bëjë atë masakër, ka pas qenë në kohë të socialistëve një drejtor hipoteke, i përkëdhelur, që ka bërë pará dhe që në periudhën opozitare të tij i ka investuar këto pará në ndërtim. Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, një feudal lokal që ka bërë kërdinë me ndërtime në qytetin muze, i ka ofruar atij leje dhe gjithë licencat brenda një muaji. Një lehtësi e tillë e papërfytyrueshme për biznesin, që do ta kishte zili studimi i Bankës Botërore, “Të bësh biznes në Shqipëri”. Kaq lehtë licencat dhe lejet e punës në Shqipëri i ka marrë vetëm një kompani e quajtur “AlbaDemil”. Dhe ajo është krijuar më 28 dhjetor, është licencuar më 28 dhjetor dhe ka marrë përgjigje për vendin e punës më 28 dhjetor, një repart ushtarak delikat, ku nuk kalon dot as zogu pa leje të shtetit. Dhe të gjithë e dimë tani se “AlbaDemil” ishte kompania e Delijorgjit që bëri hatanë në Gërdec. E njëjtë ishte dhe kompania që bëri tragjedinë e Gjirokastrës. E privilegjuar nga pushteti i socialistëve në Gjirokastër, por e lejuar dhe nga pushtetarë të PD, ajo arriti të bënte atë që bëri. Njësoj dhe Delijorgji në Gërdec, ndërsa ishte duke shkuar në pranga pas tragjedisë, merrte ende mesazhe nga liderët e opozitës, të cilët e quanin njeri të tyre, edhe pse biznesin e kishte bërë me njerëzit e kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes.

Të gjitha këto realisht na bindin se Gjirokastra ishte një përsëritje e Gërdecit. Sali Berisha ka të drejtë që bën atë krahasim, pasi Edi Rama nuk pati guximin të dilte publikisht dhe të thoshte: Kjo është një histori korrupsioni dhe për këtë është përgjegjës pushteti i Partisë Socialiste në Gjirokastër. Nuk e pati atë guxim dhe ndihmoi Sali Berishën që me këtë rast të pastronte dhe historinë e Gërdecit dhe ta kthente nga histori korrupsioni në histori aksidenti. Njësoj si Sali Berisha nuk pati guximin të thoshte se, nëse është djali im i përzier në Gërdec, të shkojë para drejtësisë, ashtu dhe Edi Rama nuk pati guxim të tregojë me gisht nga fajtori i tij në Gjirokastër. Dhe kjo mungesë guximi krijon një shije të keqe për qytetarët, një tallje me fatkeqësitë, duke na i paraqitur ato si produkte të papërgjegjshmërisë. Asnjë detaj papërgjegjshmërie nuk ka në këtë histori, përveç makutërisë së njerëzve me pushtet për t’u pasuruar me çdo kusht, pa përfillur jetët e njerëzve. Ndaj ngjajnë si dy pika uji Gjirokastra me Gërdecin. Por Gërdeci nuk është ashtu siç e ëndërron Berisha të jetë. Është histori e prodhuar nga korrupsioni i familjes së tij politike dhe biologjike, ashtu sikundër është historia e prodhuar në Gjirokastër prej familjes politike të Edi Ramës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›