Dy raporterët e Komisionit Europian, Jako Lakso dhe David Uilshire, konkludojnë raportin pas takimeve të bëra në Shqipëri nga data 9 deri më 11 shkurt, ku morën informacion për ligjin e lustracionit d
Dy raporterët e Komisionit Europian, Jako Lakso dhe David Uilshire, konkludojnë raportin pas takimeve të bëra në Shqipëri nga data 9 deri më 11 shkurt, ku morën informacion për ligjin e lustracionit dhe shkarkimin e Aleksandër Biberaj nga posti që mbante në Asamblenë Parlamentare të KE-së. Përsa i përket ligjit të dosjeve, dy raporterët mbështesin faktin që të pritet mendimi i Komisionit të Venecias. Ata nënvizojnë se kur kanë takuar presidentin Topi lidhur me këtë ligj, ai u ka bërë të ditur se ky ligj është shumë më ndryshe nga ligji që vetë Topi propozoi në vitin 2006. Dy komisionerët e Këshillit të Europës nënvizojnë se është urgjente që të merren parasysh standardet europiane për ligjin e dosjeve. Sa i takon rastit “Biberaj”, raporterët shprehen se është jashtë kompetencave të tyre të përfshihen në një çështje të brendshme administrative të Shqipërisë, megjithatë, konsiderojnë se duhen marrë masa që të mos ndodhin më ngjarje të tilla. Për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat do të mbahen më 28 qershor 2009, në raport nuk ka konstatime të mëdha, pasi sikundër thonë raporterët, nuk kanë pasur kohë. Ata vetëm sa janë njohur me ndryshimet e bëra në Kodin Zgjedhor. Gjithsesi, komisionerët sugjerojnë dhe mbështesin që një komision “Ad-Hoc” të monitorojë procesin zgjedhor në bazë të ndryshimeve që iu bënë Kodit Zgjedhor.
Partia Socialiste akuzon qeverinë se ka shkelur ligjin e buxhetit të shtetit, duke shkaktuar, vetëm në dy muajt e fundit, një dëm prej 35 milionë dollarësh. Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, tha se shifrat e realizimit të buxhetit të shtetit për vitin 2009, për dymujorin e fundit tregojnë një risk të madh për ekonominë e vendit, ekonominë familjare, varfërinë, papunësinë dhe mungesën e investimeve publike. Braçe tha se gjatë këtyre dy muajve të fundit, në buxhetin e shtetit mungojnë 10 milionë dollarë si rezultat i mosrealizimit të të ardhurave nga TVSH-ja, 4 milionë dollarë si rezultat i mosrealizimit të tatimit mbi pasurinë, 7.32 nga mosrealizimi i taksave lokale, 15 milionë dollarë nga mosrealizimi i të ardhurave nga institucionet buxhetore si dhe 4.2 milionë dollarë nga mosrealizimi i transferimit të fitimit nga Banka e Shqipërisë. Deputeti socialist akuzoi qeverinë për shpërdorime në investimet publike. “Shpenzimet për investimet publike janë realizuar në nivelin 100 milionë USD, me një ritëm prej 1 USD/frymë në ditë, thellësisht të pamjaftueshme në kohë krize. Investimet publike me financim të brendshëm janë realizuar në nivelin e 9.9% mld lekë, por 7.9 mld kanë shkuar vetëm në 56 km e Rrëshen - Kalimash. Investimet publike me financime të huaja janë realizuar vetëm 6 mln USD, 34%, me një mosrealizim prej 12.3 mln USD. Pikërisht ky është treguesi që Shqipëria nuk po ndryshon, nuk po ndërtohet, kur paratë e munguara në këtë zë po lënë pa ndërtuar, Lushnjë-Fier, Fier-Vlorë, Fier-Tepelenë, Bypass Fier, Porti Durrës, Milot-Rrëshen, Kalimash-Rexhepaj etj.”, - tha Braçe.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrisë së Transporteve, e cila përgënjeshtroi akuzat e Bashës për çështjet e investimeve publike. “Nënkryetari 1 euro i Grupit Parlamentar të Partisë së Bashkisë doli sot dhe mashtroi publikisht për çështjen e investimeve në infrastrukturë. MPPTT i bën të ditur opinionit publik se investimet publike në vitin 2008 janë realizuar në masën 108%, ndërsa në ujësjellës 96%. Nuk ka asnjë projekt që nuk mbulohet me financim dhe asnjë financim nuk bëhet për qëllim elektoral, por bëhet për t’u shërbyer qytetarëve. Zotëria e tij përmendi rrugën Lushnjë - Fier dhe tha që paskësh mbetur pa mbaruar. Me sa duket zotëria nuk shkon në Lushnjë që nga koha kur ishte koordinator i bandës. Rruga Lushnjë - Fier është tërësisht e përfunduar dhe pret vetëm të inaugurohet”, - thuhej në këtë reagim.
30 Mars 2009