E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli nis turin e takimeve në rrethe me moton “NATO, ne e mbajtëm premtimin”



Kryetarja e Kuvendit ka vizituar dje komunat e Dajçit, Kallmetit dhe Fushë-Kuqes në Lezhë, në vijim të takimeve “NATO, ne e mbajtëm premtimin”. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO po përdoret nga drejtuesit e Partisë Demokratike për të bërë fushatë elektorale. Në takimet e saj Topalli i informoi banorët për reformat që ka ndërmarrë qeveria gjatë mandatit katërvjeçar. Sipas saj, udhëheqës të qeverive të vendeve të ndryshme të botës po ndjekin doktrinën ekonomike të Shqipërisë për të dalë nga kriza ekonomike. “Ne kemi qenë seriozë në zbatimin e doktrinës ekonomike, e cila ka bërë të mundur që Shqipëria të mos preket nga kjo krizë. Sot liderët e djathtë flasin pikërisht për këtë doktrinë që ka ndjekur maxhoranca e drejtuar nga Sali Berisha. Më thoni, cili vend i zhvilluar i botës ka mundur të dyfishojë buxhetin në një periudhë kaq të shkurtër si Shqipëria?” - është shprehur Topalli, ndërsa ka kërkuar nga banorët që të mbështesin PD-në, për të vijuar me ndryshimin. “Partia Demokratike jep garancinë më të madhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në këto 20 vjet Partia Demokratike është zemra e demokracisë. Ajo ka bërë historinë e ndryshimit të madh, rrëzoi komunizmin, realizoi pluralizmin. Vetëm kjo maxhorancë e drejtuar nga një njeri që ka sensin e përgjegjësisë së kombit, një njeri që i do njerëzit, që do vendin e tij, mund të fitojë garat e tjera të ndryshimeve të mëdha. Vetëm kjo maxhorancë bëri të mundur që vendin tonë, nga një vend me histori diktaturash, dhimbjesh të mëdha e sakrificash sublime, e vendosi në anën e drejtë të historisë, e vendosi në krah të Perëndimit, e bëri anëtar me të drejta të plota në NATO”, - është shprehur Topalli.

30 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›