Raporterët e KE-së: “Prisni rekomandimet e Venecias për ligjin e dosjeve”
Dy raporterët e Komisionit Europian, Jako Lakso dhe David Uilshire, konkludojnë raportin pas takimeve të bëra në Shqipëri nga data 9 deri më 11 shkurt, ku morën informacion për ligjin e lustracionit dhe shkarkimin e Aleksandër Biberaj nga posti që mbante në Asamblenë Parlamentare të KE-së. Përsa i përket ligjit të dosjeve, dy raporterët mbështesin faktin që të pritet mendimi i Komisionit të Venecias. Ata nënvizojnë se kur kanë takuar presidentin Topi lidhur me këtë ligj, ai u ka bërë të ditur se ky ligj është shumë më ndryshe nga ligji që vetë Topi propozoi në vitin 2006. Dy komisionerët e Këshillit të Europës nënvizojnë se është urgjente që të merren parasysh standardet europiane për ligjin e dosjeve. Sa i takon rastit “Biberaj”, raporterët shprehen se është jashtë kompetencave të tyre të përfshihen në një çështje të brendshme administrative të Shqipërisë, megjithatë, konsiderojnë se duhen marrë masa që të mos ndodhin më ngjarje të tilla. Për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat do të mbahen më 28 qershor 2009, në raport nuk ka konstatime të mëdha, pasi sikundër thonë raporterët, nuk kanë pasur kohë. Ata vetëm sa janë njohur me ndryshimet e bëra në Kodin Zgjedhor. Gjithsesi, komisionerët sugjerojnë dhe mbështesin që një komision “Ad-Hoc” të monitorojë procesin zgjedhor në bazë të ndryshimeve që iu bënë Kodit Zgjedhor.
30 Mars 2009