“Dy rrëfime dashurie” në Australi
Filmi dokumentar “Dy rrëfime dashurie”, i regjisores kosovare Shota Bukoshi, udhëton drejt Australisë. Ky dokumentar me të cilin Bukoshi ka marrë çmimin “Young, Short & Ambitious”, në Vjenë, Austri, dhe në edicioni e vjetëm të Dokufest në Prizren, Melbourne International Film Festival ka nisur pak ditë më parë në datën 24 dhe do të vijojë deri në 9 gusht. Sipas gazetës “Express”, filmi i shotës do të shfaqet sot, në kategorinë e filmave të shkurtër. Filmi është prodhuar nga 3V studio dhe është përkrahur nga “Swiss Agency for Development and Cooperation”. Realizues të tjerë të tij janë Gazmend Bajri, Pëllumb Ballata, Ilir Bajri, etj. Dokumentari zë fill në një vizitë të dy familjeve rome në Kosovë, duke dhënë një panoramë të dy botëve paralele të shoqërisë kosovare. Pamje nga rrethi i jetës, dashurisë, punës dhe humbjes, gërshetohen për të treguar rrëfime krejtësisht të ndryshëm. Pothuajse pa vërejtur, shikuesi hyn në jetët e këtyre njerëzve, i intriguar të zbulojë sa më shumë rreth tyre. Ngjyra dhe pamjet, në mënyrë shumë të qetë por njëkohësisht shumë të drejtpërdrejtë, e përçojnë një llojllojshmëri emocionesh; prej atyre të hareshme e plot dritë, deri tek ato të errëta e të pa shpresë.