E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi hap panairin e Ulqinit

 

Më shumë se 30 mijë vizitorë kanë ndjekur Panairin e Nëntë të Librit Shqip, që u hap ditën e hënë në qytetin bregdetar të Ulqinit, në praninë e dy presidentëve të Shqipërisë dhe Malit të Zi, Bamir Topi dhe Filip Vujanoviç. Rreth 60 shtëpi botuese nga hapësira mbarëshqiptare, ofruan edhe këtë vit letërsi artistike të autorëve shqiptarë e të huaj, botime historike, enciklopedike, guida turistike e harta të çdo lloji, letërsi për fëmijë, fjalorë e metoda për mësimin e shqipes dhe të gjuhëve të huaja, libra utilitarë për zanate e profesione të ndryshme, albume e katalogë gjithfarësh etj. Veç botuesve nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, në këtë panair marrin pjesë dhe botues nga Mali i Zi, Bosnja e pakicat e tjera kombëtare të kësaj republike. Më së shumti vizitorët kanë shfaqur interes për letërsinë artistike, enciklopedike, por edhe për fëmijë. Në ceremoninë e hapjes, krahas presidentëve Topi dhe Vujanoviç morën pjesë dhe politikanë, shkrimtarë, artistë, personalitete të kulturës dhe letërsisë. “Shtetet dhe popujt e Ballkanit, mund dhe duhet të punojmë së bashku, për të rritur akoma më tej bashkëpunimin akademik, universitar e kulturor, duke eksploruar përvojat më të mira të BE-së, sepse kështu krijojmë një hapësirë kulturore pa kufij, domosdoshmëri kjo për një mentalitet integrues, kryefjalë e së tashmes dhe e së ardhmes”,- tha Presidenti Bamir Topi në përshëndetjen e tij. Dje pasdite u prezantua libri i shkrimtarit Ali Aliu, ndërkohë që përgjatë ditëve të Panairit, që do të qëndrojë i hapur deri në 2 gusht, organizatorët kanë planifikuar dhe takime të tjera me autorë dhe botues pjesëmarrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›