E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pse hezitova të firmosja ministrat e Berishës”

 

Në librin "Midis Nanos dhe Berishës", që ish-presidenti Alfred Moisiu pritet të nxjerrë këto ditë në treg, ka detaje interesante për çështjet e ministrave që qeveria "Berisha" zëvendësoi gjatë mandatit të fundit. Sipas ish-presidentit, në të gjitha rastet të propozuarit ishin shprehur publikisht kundër tij dhe në disa raste ata kishin probleme të biografisë. Nga ana tjetër, Kryeministri Berisha dhe Kryeparlamentarja Topalli abandonojnë deri në fund ceremonitë zyrtare të betimit të tyre.

Alfred Moisiu

Gjatë mandatit tim, përveç rasteve të krijimit të qeverive fill pas zgjedhjeve, sikurse ishte në vitin 2002 dhe në 2005, pata edhe raste të zëvendësimit të ministrave gjatë mandatit të së njëjtës qeveri. Në vendet me demokraci të zhvilluar, në këto raste kur largohen nga qeveria disa ministra njëkohësisht, ata nuk zëvendësohen, por kabineti bie dhe formohet qeveria nga e para. Me sa duket te ne ky rregull ende nuk ka mbërritur. Më shumë ndërrime ministrash ka pasur në kabinetin Berisha, ndërsa për ata të kabinetit Nano kam folur më parë. Problemi i ndërrimit të ministrave, në radhë të parë është detyrë e kryeministrave, por Presidenti sido që të jetë përfshihet në procedurë, jo thjesht në mënyrë noteriale. Në nenin 98 të Kushtetutës thuhet: "Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve". Pra, nga Kushtetuta, duket qartë që Kryetari i Shtetit në këtë rast nuk mund të jetë thjesht një noter, por ka një përgjegjësi morale për emërimet përkatëse, që vërtetohet me afatin që i lihet në dispozicion për të vepruar. Në të gjitha rastet, kur jam ndeshur me emërimet e anëtarëve të kabinetit qeveritar, fillimisht kam marrë kontakte me Kryeministrin, për të diskutuar në mënyrë të përgjithshme për kandidaturat dhe menjëherë pas marrjes zyrtare të propozimit, kam kërkuar nga organet e pavarura kushtetuese si: Prokuroria e Përgjithshme, Kontrolli i Lartë i Shtetit, organet e drejtësisë dhe organet e sigurisë, nëse në adresë të të propozuarve ka ndonjë çështje të hapur direkt ose indirekt. Pastaj, lidhur edhe me gjykimet e mia personale, kam dhënë përgjigjen konkrete nëpërmjet dekreteve. Bazuar në nenin 99 të Kushtetutës, që thotë: "Para fillimit të detyrës, Kryeministri, Zëvendëskryeministri dhe ministrat betohen para Presidentit të Republikës", kam kërkuar betimin e tyre me ceremoni. Po kështu është vepruar si në rastet e ndryshimit të qeverive, ashtu edhe në rastet kur janë emëruar ministra të rinj, të cilët kanë zëvendësuar paraardhësit. Ashtu sikurse veprohet në çdo vend demokratik të Evropës, kam kërkuar që në këto ceremoni të ishte prezent edhe kryeministri Berisha, por ai duke vazhduar ruajtjen e qejfmbetjes personale, nuk denjonte të merrte pjesë në betimin e një ministri të propozuar po prej tij, duke e ngatërruar inatin me detyrimet e tij kushtetuese dhe ligjore. Gjithmonë të njëjtin veprim bënte edhe kryetarja e Kuvendit, zonja Topalli!
Edhe në emërimin e ministrave të rinj nga Berisha, midis tyre ka pasur individë për të cilët unë kam pasur objeksione, të cilat në pamundësi të kontakteve personale me Kryeministrin, ia bëja të njohur atij nëpërmjet korrespondencës direkte ose nëpërmjet kontakteve të stafeve përkatëse. Kështu, kur ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj dha dorëheqjen dhe në vend të tij Kryeministri propozoi Lulzim Bashën, nga studimi i dosjes së tij rezultonte që bashkëshortja e tij ishte me kombësi shqiptare, por e kishte lënë shtetësinë e saj, për të fituar nënshtetësi të huaj. Ky detaj më bëri përshtypje, pasi bëhej fjalë për një njeri të cilit do t'i besohej drejtimi i politikës së jashtme të Shqipërisë. Ishte rasti i parë që ndodhte një gjë e tillë për një funksionar si ky dhe personalisht këtë nuk e konsideroja të përshtatshme. Pavarësisht se nëpërmjet stafit të tij mora përgjigje nga Berisha se ai nuk e gjykon pengesë një gjë të tillë, megjithatë i dërgova Kryeministrit zyrtarisht me shkrim opinionin tim, ku i shkruaja se ndonëse nuk ka asgjë të përcaktuar në ligj, nuk më duket e arsyeshme që ministri i Jashtëm ta ketë gruan me nënshtetësi të huaj, aq më tepër që ajo është shqiptare dhe e ka lënë nënshtetësinë. Edhe në vendet Perëndimore, shumë personalitete të diplomacisë dhe të ushtrisë, që martohen me gra të huaja, paraprakisht njihen me dy vështirësi që u krijohen: e para, ata e dinë se në karrierën e tyre kanë një tavan, tej të cilit nuk mund të pretendojnë për të shkuar, dhe e dyta, gratë e tyre në raste të tilla detyrohen të marrin nënshtetësinë e shtetit përkatës. Sigurisht, ashtu sikurse prisja, nuk mora përgjigje për shqetësimin tim. Më duhet të shtoj se në Ministrinë e Jashtme ishte krijuar një situatë jo shumë normale. Kështu jo vetëm ministri e kishte gruan me nënshtetësi të huaj, por edhe zëvendësministrja e kishte bashkëshortin me nënshtetësi të huaj, në të njëjtat kushte ishte edhe sekretari i përgjithshëm. Pra, kjo ministri, edhe sot e kësaj dite, që jemi në mesin e vitit 2009, është po në ato pozita. Pikërisht ky ishte edhe problemi më i madh që unë shikoja!
Ndërrimet e ministrave kryesisht përfshinë ato ministri me të cilat më lidhte më shumë puna si President. Konkretisht u zëvendësua ministri i Jashtëm, ministri i Drejtësisë, ministri i Brendshëm dhe ministri i Integrimit. Çuditërisht që të gjithë ata që u propozuan nga Kryetari i Qeverisë për të marrë funksionin e ministrit, ishin shprehur publikisht kundër meje me shpifje e sajesa të ndryshme! Nuk mund ta them nëse kjo ishte një rastësi apo shpërblim nga shefi i tyre për bindje të verbër?! Për mendimin tim, ata lloj individësh që bëhen vegla qorre e dikujt janë pa personalitet. Megjithatë nuk e quajta të arsyeshme të merresha me veprimet e tyre. Por të kemi në qeveri ministra që i përngjajnë më shumë një ushtari të bindur sesa një politikani me dinjitet, është një shqetësim i madh për shtetin dhe për vetë kombin.

Ish-presidenti: Si u krijova mundësi politikanëve t'i shtrëngonin dorën Bushit
Në këtë numër vjen edhe pjesa e dytë e shënimeve të ish-presidentit shqiptar për takimin me homologun amerikan, Xhorxh Bush. Sipas Moisiut, në bisedën mes tyre një vend i rëndësishëm i është kushtuar problemit të pavarësisë së Kosovës.
Ai (Xhorxh Bush. Red.) më falënderoi për të gjitha mendimet e sinqerta që i shfaqa. Kurse në lidhje me Kosovën më tha se është dakord me mendimin që kjo situatë statu-quo-je nuk mund të tolerohet më tej, ndaj do të shfaq qysh sot pikëpamjen time se koha për pavarësinë e Kosovës është tani. Dhe fjala e tij, e thënë dhe e përsëritur fort, e përshpejtoi procesin e shpalljes së pavarësisë.
Me rastin e kësaj vizite, vendosa që Presidentin Bush, kryetarin e shtetit amerikan, ta nderonim duke i akorduar dekoratën më të lartë që jep shteti shqiptar, me "Urdhrin i Flamurit Kombëtar". Ky vlerësim ishte plotësisht i merituar për miqësinë e vërtetuar, mbështetjen që i ishte dhënë kombit shqiptar, për kontributin për Kosovën si dhe për vlerësimin e veçantë për vendin tonë. Veç dekoratës mendova të përgatisnim fotografinë e zmadhuar të një ikone unike, që ndodhet në Muzeun "Onufri" të Beratit, e cila simbolizon më së miri bashkekzistencën dhe tolerancën fetare të shqiptarëve, që është krenaria e popullit tonë. Në këtë ikonë, që i përket shekullit XVII, tregohet "Shatërvani i Shenjtë" me Shën Marinë dhe në sfond duken minaret e xhamive. Pra, dy simbole të rëndësishme të dy besimeve fetare kryesore në Shqipëri. Sipas njohësve të ikonografisë ortodokse botërore, ajo ikonë konsiderohet unike në gjininë e saj. Ndërsa për znj. Laura Bush, vajza ime Mirela mendoi t'i përgatiste një përmbledhje të zgjedhur të veprave të Ismail Kadaresë në anglisht.
Duke parë që sipas programit, kryetarët e partive parlamentare nuk do të kishin asnjë mundësi për t'u takuar me Presidentin Bush, vendosa që ata të ishin prezent, gjatë ceremonisë së dekorimit në Pallatin e Brigadave së bashku me drejtuesit e institucioneve të pavarura kushtetuese, duke përfshirë në program një shtrëngim duarsh midis tyre dhe miqve amerikanë. Ceremonia e pritjes së Presidentit Bush në Pallatin e Brigadave, e cila u transmetua direkt, doli e përkryer. Vizita e Presidentit Bush ishte një sukses i madh për vendin tonë. Shkuarja e tij në Fushë-Krujë, duke shkelur të gjitha rregullat protokollare dhe ato të sigurisë, që ishte një gjë e paparë në pritjet që u bëhen udhëheqësve amerikanë në botë, tregoi realisht se sa shqiptarët i duan dhe i respektojnë amerikanët, si miqtë e tyre më të mirë dhe më të sinqertë. Kjo gjë u pa në pritjen e veçantë dhe tepër madhështore që iu bë nga populli i atij qyteti, e cila la shumë mbresë në kujtesën e Presidentit Bush, gjë të cilën ai e përshkroi më pas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›