Shqiptarë e serbë, “Muaj mjalti” në Venecia
Alma Mile
“Ne jemi gati për të shkuar në Evropë, po Evropa, a është gati të na pranojë”. Kjo është pyetja që i bëjnë vetes shqiptarë e serbë, pavarësisht përplasjeve historike mes tyre.Kjo është ëndrra e madhe e vendeve të rajonit të nxehtë ballkanik. Kjo është pritja. Kjo është edhe pyetja që ngre filmi shqiptaro-serb “Honey Moons”, i cili nis së shpejti “muajt e mjaltit” në festivale të rëndësishme të kinemasë botërore. Dje, në ambientet e kinema “Imperial”, realizuesit e tij dhanë lajmin e mirë të pjesëmarrjes në disa festivale ndërkombëtare të kategorisë A, si në Venecia, Toronto e më tej në Selanik, etj. Që në kohën që u bë i njohur projekti i aprovuar nga Qendra Kombëtare Kinematografike e aq më tepër pjesëmarrja e regjisorit, Goran Paskaljeviç, i cili i është kundërvënë hapur politikës së Millosheviçit, nuk mungoi entuziazmi nga të dyja palët. Nisi si një rrëfim historish njerëzore, për të përfunduar në një film politik. “Pas 1 vit e gjysmë pune, mund të them se bëhet fjalë për një film politik dhe s’mund të ishte ndryshe. Ai parashtron për publikun serb, shqiptar e evropian, aspiratën e këtyre dy vendeve, drejt Evropës. Kemi luajtur me elementin e pritjes. Ne jemi gati të shkojmë në Evropë, po Evropa a është gati të na pranojë?”, - thotë Genc Përmeti, duke pranuar që edhe ky film shkon në vazhdën e krijimtarisë politike të Paskaljeviçit. Filmi trajton dy histori paralele që ndodhin në Shqipëri e Serbi. Personazhet nuk puqen, po fatet e tyre janë të ngjashme. Pas konferencës së djeshme, u shfaqën edhe disa pjesë nga filmi që mund të jepnin një ide të përciptë mbi të, por që gjithsesi ofronin atmosferën e filmave të Paskaljeviçit. Rrugëtimi ndërkombëtar i “Honey Moons”, nis me Festivalin e Venecias, ku prodhimi shqiptaro-serb, i pari në llojin e vet, do të ketë premierën në seksionin “Venezia days”, që sipas producentit Ilir Butka, i kushtohet kinemasë indipendente. “Siç është vlerësuar nga media dhe kritika e huaj, ky seksion i ri, jo vetëm për tematikat dhe autorët që e përfaqësojnë, por dhe vlerat profesionale, ka bërë që vëmendja të përqendrohet në të, sepse tenton të dalë nga orbita e konsumuar e festivaleve të mëdha tradicionale. Tanimë dihet që festivalet e kategorisë A, si Venecia, Berlini, Kana, janë kthyer në arena të interesave komerciale në botën kinematografike dhe brenda këtyre hapësirave, kineastët kanë mundësi të flasin me një tjetër gjuhë dhe me një tjetër audiencë”, - thotë Butka. Pas pjesëmarrjes në Venecia, në shtator, filmi do të do të marrë pjesë në seksionin “Masters” në Festivalin e Filmit në Toronto, që sipas Përmetit, i kushtohet mjeshtërve të kinematografisë botërore. Ndërsa në nëntor, festivali i Selanikut, do të ngrejë siparin pikërisht me këtë film.
Aktorët: Paskaljeviç, një fat
Për aktorët shqiptarë që interpretojnë në filmin “Honey Moons”, bashkëpunimi me regjisorin Goran Paskaljeviç, ishte një fat. “Marrëdhënia që u krijua mes tij dhe aktorëve ishte shumë njerëzore, e mençuar dhe modeste. Modestia për mua është një kapak floriri”, - thotë aktorja
Yllka Mujo. “Ky film heq dy paralele, mes dy vendeve të Ballkanit, që kanë kualitete dhe njerëz të mrekullueshëm dhe që kur mblidhen bashkë japin gjëra shumë të bukura. Ky bashkëpunim na dha një shembull si punohet, si durohet dhe si impenjohet në punë. Kur të gjitha këto
kombinohen dhe me shumë dashuri, rezultati është shumë i mirë”, - thotë aktori Bujar Lako. Ndërsa për aktoren e re Mirela Naska ishte “një fat të cilin ajo e zuri për flokësh”.
.