E Shtunë, 31 Tetor 2026

Replika Dokle-Berisha në sallën e gjyqit

Megjithëse kishin paguar qindra mijëra euro për eliminimin e njëri-tjetrit, Lul Berisha dhe Indrit Dokle, dy hasmit e dikurshëm, kanë shkëmbyer dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda replika, duke lënë me "gisht në gojë" edhe anëtarët e tjerë të bandave kriminale të Durrësit. Të urryer deri në vdekje nga njëri-tjetri, Berisha dhe Dokle e kanë parë të arsyeshme të sheshojnë mosmarrëveshjet, duke krijuar një konfuzion në gjykatë. Të ndarë nga dhjetëra punonjës të policisë dhe nën sytë e medias, Lul Berisha i ka bërë disa pyetje "rivalit" në të njëjtin kafaz. Pas një momenti hutimi, Dokle i është përgjigjur, ndërsa të dy kanë vijuar një bashkëbisedim, i cili dukej mjaft i "ngrohtë", si dy miq të vjetër. Duket se më të "tremburit" kanë qenë pjesëtarët e tjerë të bandave, të cilët, gjatë kohës që dy bandat ishin rivale, dyshohet se kanë kryer ekzekutime të "shokëve". Gjithsesi, biseda zgjati disa minuta, kohë e cila i është dashur edhe drejtuesit të seancës gjyqësore për të deklaruar shtyrjen, pasi mungonte avokati.

Seanca e djeshme

Duket se mungesa e avokatëve po mban "peng" zhvillimin e procesit gjyqësor për "Bandën e Durrësit". Seanca e radhës, që duhet të zhvillohej dje, ka dështuar sërish dhe shkak është bërë mungesa e palës mbrojtëse. Këtë radhë, ndryshe nga seanca të shkuara në sallën e Gjykatës së Krimeve të Rënda, ishin të pranishëm disa nga të pandehurit e "Bandës së Durrësit", mes tyre edhe i akuzuari si kapo i saj, Lulzim Berisha (që mungoi disa herë për shkak të një ndërhyrjeje kirurgjikale) procesi nuk është realizuar, për shkak të mospjesëmarrjes së njërit nga avokatët mbrojtës.

Në fillim të seancës, avokatët kërkuan nga trupi gjykues që të nxirreshin nga salla personat me armë dhe fjala ishte pikërisht për forcat speciale, që qëndronin të maskuara dhe me automatik, në mbrojtje të të penduarit Adriatik Coli. Por, kërkesa e tyre nuk u mor parasysh dhe e rrëzoi me një vendim të ndërmjetëm.

Seanca e radhës u përcaktua e enjtja e javës së ardhshme. Në këtë proces janë të pandehur 17 persona, të cilët akuzohen për një sërë episodesh të rënda kriminale, mes të cilave disa vrasje, të ndodhura vitet e mëparshme në Durrës.

"Pazaret" e Dokles

Sipas akuzës, Adriatik Coli, gjatë dëshmive para hetuesve, krahas disa vrasjeve, ku ka marrë pjesë edhe vetë, ka treguar si funksiononte banda e Indrit Dokles dhe planet për të vrarë Berishën. Sipas tij, Indrit Dokle rekrutoi si anëtarë të organizatës Altin Ollonin, Alban Nelin, Elvin Hoxhosmanin, Selman Hetin dhe Spartak Kalthin për vrasjen e Lulit. Dokle përgatiti planin, duke përdorur vrasës me pagesë. Ata do të paguheshin me 100 mijë euro për vrasjen dhe 25 mijë për plagosjen e Berishës. Më datë 5 prill 2005, Alban Neli, Elvis Hoxhosmani dhe Altin Nikolla kanë lëvizur në Durrës, duke ndjekur Lulzim Berishën. Sipas prokurorisë, kjo vrasje nuk u bë e mundur, pasi një polic qarkullimi ka bërë bllokimin e veturës. Pas dështimit, Indrit Dokle përdor si ‘killer" në drejtim të Lulzim Berishës, Selman Hetin dhe Elvin Hoxhosmanin, nga Burreli, duke iu premtuar 150 mijë euro. Selman Heti më 5 maj 2005, rreth orës 12:00 i afrohet Lulzim Berishës dhe e qëllon me pistoletë. Si pasojë ngelën të plagosur Lulzim Berisha, Isuf Morina dhe Ram Haxhiaj. Për të eliminuar me çdo kusht Berishën, Indrit Dokle, me ndihmë të Kujtim Bunës, është lidhur me dy kosovarë, të cilët kanë trafikuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin armë zjarri kundërtank. Ahmet Ajeti dhe Osman Karpuzi, në këmbim të shumës prej 80 mijë eurosh, kanë marrë përsipër vrasjen e Lulzim Berishës. Ajeti dhe Karpuzi më datë 30 gusht 2005, rreth orës 14:30 i janë afruar lokalit të Berishës dhe janë ndarë në dy drejtime. Njëri prej tyre është vetëplagosur pa dashje, çka solli edhe dështimin e operacionit. Gjatë muajit gusht të vitit 2005, Spartak Kalthi së bashku me Selman Hetin kanë shkuar në Durrës për të vrarë Lulzim Berishën. Në momentin që ai (Berisha) po i afrohej vendit, në të cilin ishte parkuar automjeti, Serdjan Sulejmani ka telefonuar në celular Selman Hetin, i cili ka dalë nga furgoni me armë. Por, për shkak të lëvizjes me shpejtësi të Lul Berishës, vrasja e tij ka ngelur në tentativë.

Dosja

Si u ndanë Lul Berisha dhe Indrit Dokle

Indrit Dokle, pas vrasjes së Klodian Saliut, mori "frenat" e bandës, duke rekrutuar disa vrasës me pagesë, të cilët ndërmorën një sërë iniciativash për ekzekutimin e Berishës. "Vrasjet e shumta në qytetin e Durrësit midis bandës së Lul Berishës dhe Indrit Dokles kanë ardhur si pasojë e trafikut të drogës", thanë burimet nga akuza. Sipas tyre, grupi hetimor do të hetojë linjat e trafikut të drogës nga Durrësi në drejtim të Italisë, ku "qendra" ishte pikërisht Porti i Durrësit. Prokuroria e Përgjithshme thotë se konfliktet mes bandave në vitin 1998 fillimisht kanë lindur për rivalitetin në trafikun e drogës. Ka qenë koha që Lul Berisha ndodhej në burg, në Itali, kur një prej të akuzuarve si bashkëpunëtori më i ngushtë, Klodian Saliu, ka devijuar, duke krijuar bandën e tij. Pas daljes nga burgu dhe mbërritjes në Shqipëri, dyshohet se Lul Berisha kishte humbur terren në trafikun e drogës në qytetin bregdetar. Akuza e krijimit të grupit të strukturuar kriminal, dy të akuzuarve si krerë të bandave, është ngritur mbi bazën e provave të siguruara për trafikun e drogës. Prokuroria thotë se ka prova dhe dëshmi që i vërtetojnë këto dyshime.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›