Dy shqiptarë restaurojnë teatrin legjendar të Parisit
Le Palace" u rikthye në identitet. Tashmë është një sallë teatri. Ka një imazh të ri ky vend mistik, i njohur në tërë botën për netët e çmendura që nga fundi i viteve '70 e deri në vitet '90. Pas 2 vjet punimesh gjigante, salla më e famshme e jetës së natës pariziene u kthye në teatër nga dy artistët belge me origjine shqiptare, Aziz dhe Alil Vardar. Dje u bë edhe inaugurimi i sallës me spektaklin e aktores së njohur franceze, Valerie Lemercier.
"Le Parizien", "Liberation", "Le Monde", "Le Journal du dimanche" dhe pothuajse te gjitha gazetat e showbusinessit në Francë, i kanë kushtuar faqe të tëra hapjes së një prej sallave më të famshme të Parisit: "Le Palace" dhe fakti që janë pikërisht dy artistë belgë me origjinë shqiptare vëllezërit Vardar, që e kanë arritur këtë.
Salla e rinovuar e 'Palacit' nga vëllezërit Vardar është e tjetërsuar. S'njihet aspak. 900 vende dhe 2 radhë të adaptuara për njerëz me aftësi të kufizuara, një lartësi marramendëse e tavanit, 53 metra të afreskeve murale të restauruara siç kanë qenë që në origjine! Një çmenduri! Teknikët kanë rregulluar edhe detajet e fundit të ndriçimit për spektaklin e Valeri Lemercier. Gjithçka në dekor është ruajtur siç ka qenë në origjinë.
Hazis Vardar shprehet për mediat franceze, se ai ka këmbëngulur vetë që të ruajë aspektin 'kitsch' të këtij vendi legjendar. Rezultati është: tavani me copa pasqyre të ngjitura që të kujtojnë vitet disko dhe pikturat murale të viteve 1920, që nxjerrin gjithnjë në pah gjurmët e një epoke të paharrueshme. Në katin e nëndheshëm të Teatrit ndodhet restoranti "Le Privilege", dikur klubi "Exit", që është rrënjosur në mendjet e tridhjetëvjeçarëve të sotëm apo atyre më të hershëm.
Pas dymbëdhjetë vjet mungese, ku të gjitha projektet që paraqiteshin për të rihapur "Le Palace" nuk realizoheshin, sot parizienët do të kenë më në fund mundësi të rikthehen sërish e të rizbulojnë një 'Palace' të ri. Me këtë teatër të ri, ndërtesa e të cilit është e cilësuar si "Monument Historik" i Parisit, ambiciet e vëllezërve Vardar përbejnë tashmë një legjendë të re pasionante të spektaklit parizian. Vëllezërit Vardar janë pronarë të dy sallave të tjera teatrosh në Paris: 'La Comédie République' dhe 'La Grande Comédie', si dhe të disa teatrove të tjerë në Belgjike, në Tuluzë, në Avinjon, të gjitha të kushtuara komedisë. Alil Vardar është autori i komedisë së famshme që vazhdon të korrë sukses pranë publikut francez që prej katër vjetësh, "Klani i të divorcuarve" që vazhdon të luhet ende në sallën "La Grande Comédie".
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)