E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy shqiptarë rrahin fituesin e “Grande Fratello”-s

28/03/2011  Incident në Trevizo, kur Mauro Marini u sulmua dhe u rrah nga dy shqiptarët

I kërkuan autograf në fillim, më pas e shtrinë me shkelma përtokë

TREVIZO (ITALI)- Mauro Marin, fitues i GF 10 (Grande Fratello 10, show italian i formatit Big Brother), u sulmua dhe u rrah nga dy shqiptarë. Mediat italiane njoftojnë se incidenti i shëmtuar ka ndodhur natën e së shtunës dhe ka pasur si protagonist Mauro Marinin, fituesi venecian i edicionit të dhjetë të “Grande Fratello”, spektakël i zhvilluar vitin e kaluar 2010, ku ky personazh njihej për stilin e tij menefregist dhe disi arrogant në mënyrën e të sjellurit. Nga përshkrimet e rrjedhës së ngjarjeve rezulton se Mauro Marini ndodhej në një bar në fshatin Montellbuna, në një provincë të Trevizos. Nga dëshmia e tij në polici mësohet se Marini kishte shkuar në këtë fshat bashkë me të vëllain, për t’i dorëzuar një qese me mish të grirë pronarit të lokalit, të cilin e kishte mik të ngushtë. Në bar ndodheshin edhe dy persona me kombësi shqiptare. Të dy i ishin afruar atij me pretekstin për t’i kërkuar një autograf, pasi ishte personazh i njohur dhe se ata ishin adhurues të flaktë të tij. Deri këtu gjithçka shkoi mirë, por sapo italiani është afruar për t’u lëshuar autografet, dy shqiptarët kanë filluar ta sulmonin papritmas. Fillimisht ata e qëlluan disa herë me grushte në bark, derisa e rrëzuan përtokë dhe mandej nisi sulmi i vërtetë. Shkelmat në bark e brinjë e shoqëruan për disa minuta, teksa vëllai dhe miku i Mauros, të dy të pranishëm, nuk guxuan të afroheshin, por e shoqëruan skenën me vështrime. Pasi “mbaruan punë”, dy shqiptarët thyen dritaret dhe dyert e lokalit dhe u larguan. Pronari i dyqanit i tha policisë: “Ne kemi qenë miq për vite me radhë. Mauro ka kaluar për të më përshëndetur, me vëllain e tij Julius, dhe për të më sjellë një grimë mish. Kurrë nuk kam menduar se dikush mund ta sulmonte atë, ishte e tmerrshme”. Policia hapi një hetim dhe tani është vënë në kërkim për dy shqiptarët, teksa operacioni është ndihmuar me siguri nga fakti se bari ishte i pajisur me kamera survejimi që i kanë fiksuar fytyrat e tyre plotësisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›