Dy shqiptarë, terror në mes të Athinës

Dy shqiptarë janë bërë protagonistët e një ngjarjeje tepër të rëndë në Greqi gjatë një grabitjeje, ku ka mbetur i vdekur një person dhe janë plagosur katër të tjerë, mes të cilëve edhe dy punonjës policie. Shqiptarët kanë luftuar me armë dhe eksplozivë për të mos u dorëzuar, duke marrë peng edhe punonjësit e një furre buke. Ngjarja e rëndë u shënua mesditën e djeshme, ndërkohë që policia pas përleshjes ka mundur të vendosë në pranga dy agresorët e dhunshëm, të cilët kanë tentuar të arratisen.
Gjithçka ka filluar pas grabitjes së një banke në lagjen “Virona” të Athinës. Policia, e cila ka qenë në një kontroll banese, pak metra larg bankës së grabitur është njoftuar për ngjarjen dhe rrugës është përballur me dy grabitësit, të cilët po udhëtonin me një mjet. Aty ka filluar ndjekja dhe shqiptarët kanë tentuar të largohen. Kur e kanë parë veten të rrethuar, dy shqiptarët e armatosur, emrat e të cilëve nuk janë publikuar deri në orët e vona të natës, kanë zbritur nga mjeti i tyre dhe janë futur në një furrë buke, ku ndodheshin edhe punonjësit. Nën terrorin e armëve dhe eksplozivëve që mbanin me vete, dy emigrantët i kanë mbajtur peng punonjësit, ndërkohë që kanë filluar të qëllojnë forcat e policisë, të cilat kanë rrethuar zonën.
Gjatë thirrjeve për t’u dorëzuar, ata nuk kanë pranuar, përkundrazi kanë hedhur eksploziv në rrugë. Nga shpërthimi i eksplozivit janë plagosur rëndë dy qytetarë, njëri prej të cilëve emigrant që punonte si hidraulik. Dy të plagosurit, të cilët kishin dalë për të parë se çfarë kishte ndodhur kur kanë marrë plagët, janë dërguar me urgjencë në spital dhe pikërisht hidrauliku ka ndërruar jetë. Ndërkaq, shqiptarët, të cilët nuk pushonin se shtëni me armë, kanë hedhur edhe katër bomba të tjera.
Sipas të dhënave nga policia greke, e cila është përballur me këtë ngjarje të rëndë, gjithsej janë hedhur pesë bomba, katër prej të cilave kanë shpërthyer. Madje, nga shpërthimi kanë mbetur të plagosur rëndë edhe dy punonjës policie, njëri prej të cilëve është në gjendje kritike për jetën.
Më vonë, kur shqiptarëve u janë mbaruar municionet, kanë tentuar të arratisen. Në ato momente, njëri prej tyre është kapur nga forcat speciale, ndërkohë që tjetri kishte tentuar të arratiset nga papafingoja. Ai kishte mbetur i bllokuar në një vrimë të furrës, ku është gjetur nga forcat policore. Menjëherë, dy të arrestuarit janë shoqëruar në ambientet policore, ndërkohë që për shkak të bombës së pashpërthyer, policia nuk u ka lejuar njerëzit të afrohen, duke evakuuar të gjithë zonën. Pa vonuar shumë, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur ekspertët xhenierë, të cilët kanë nisur punën për çaktivizimin e bombës. Ndërkaq, pranë trupit të njërit nga policët e plagosur është gjetur një armë, që mendohet se përdorej nga grabitësit e bankës.
Arma ka sjellë dyshime të tjera në lidhje me një ngjarje të ndodhur dy net më parë, po në Athinë, pranë bllokut të rezidencave gjermane. Sipas policisë greke, aty janë vjedhur disa armatime të policisë greke, që mendohet se janë pikërisht ato të përdorura dje nga dy grabitësit, emigrantë shqiptarë. Për këtë, hetimi është zgjeruar edhe më tej, ndërkohë që gjendja e rëndë është komentuar nga e gjithë media greke. Sipas të dhënave të para, shqiptarët dyshohen edhe për grabitjen e një banke tjetër në kryeqytetin helen.
#