Ish-të përndjekurit kërkojnë largimin e abdinjve nga institucionet

Parlamenti miraton 20 shkurtin, si datë të përkujtimit të viktimave të komunizmit
Ashtu siç ishte paralajmëruar, shoqatat e ish-të përndjekurve politikë, protestuan përballë godinës së Gjykatës Kushtetuese dukë kërkuar njëzëri largimin e njërit prej anëtarëve të këtij institucioni, Fehmi Abdiut, si dhe të abdinjve të tjerë që po fshihen në institucionet kushtetuese. Dhjetëra përfaqësues dhe anëtarë të këtyre shoqatave, kërkuan edhe njëherë hapjen e dosjeve të ish-persekutorëve të tyre dhe miratimin e ligjit të lustracionit, duke hedhur sërish akuza ndaj disa prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Protesta e ish-të përndjekurve vjen pak ditë pasi në malin e Dajtit u gjendën 19 skelete të personave të ekzekutuar gjatë regjimit komunist. Protestuesit thanë se do ta përshkallëzojnë protestën përpara Gjykatës Kushtetuese, për të kërkuar pastrimin e administratës nga persona që kanë kryer krime dhe persekutime politike.
Protesta ka marrë një përgjigje të tërthortë, teksa Komisioni i Ligjeve ka miratuar dje 20 Shkurtin, si datën për përkujtimin e viktimave të komunizmit.
Vendimi është marrë në komisionin e ligjeve, gjatë shqyrtimit të projektligjit për “Simbolet e përkujtimit të viktimave dhe të krimeve, të komunizmit në Shqipëri”.
Gjatë diskutimit nen për nen, u vendos edhe ngritja e një obelisku përkujtimor në një nga sheshet qendrore të kryeqytetit.
Në projektligj përcaktohet dhe ngritja e disa monumenteve përkujtimore në zona të ndryshme të vendit, në nder të viktimave të diktaturës komuniste.