E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tryeza e presidentit rishfaq rrezikun e djegies së mandateve të 65 deputetëve socialistë

Kreu i mazhorancës konfirmon edhe njëherë zotimin për kompromis politik me opozitën, mjafton të mos cenohen vendimet e gjykatave, për çështjet e mbyllura

Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje pas takimit të zhvilluar me Presidentin Topi, se mazhoranca është e gatshme të diskutojë dhe të vendosë lidhur me çështjet bilaterale ndërmjet partive, por jo vendimet e gjykatave. Berisha informoi për takimin me Presidentin e Republikës, duke shtuar se kreu i shtetit dëgjoi me vëmendje qëndrimin e shumicës dhe u shpreh për një zgjidhje të shpejtë të situatës.
“Jemi të gatshëm për dialog dhe për zgjidhjen e problemeve bilaterale. Ishte një diskutim me Presidentin dhe ne sërish riafirmuam qëndrimin tonë, për të mbetur të hapur për të vijuar dialogun. Jemi të gatshëm të negociojmë me Partinë Socialiste për çdo çështje të lidhur me procesin zgjedhor të cilat kualifikohen si probleme bilaterale. Presidenti po vazhdon të eksplorojë të gjitha mundësitë e konvergimeve midis palëve. Afirmoj edhe njëherë vullnetin tim për dialog dhe jo vetëm dialog, por edhe gatishmëri të plotë për një zgjidhje me frymë konstruktive të të gjitha problemeve bilaterale”, u shpreh kreu i qeverisë, Sali Berisha, gjatë një prononcimi për mediat, menjëherë pas përfundimit të takimit 50 minutësh në zyrën e Presidentit Topi.
Ndërkaq, nga ana tjetër, Edi Rama nuk heq dorë nga kërkesat për hetimin e vendimeve të gjykatave. Duke mbrojtur këtë qëndrim të paprecedentë, kryesocialisti po çon në faliment karrierën politike dhe po djeg mandatet e deputetëve socialiste.
Takimi i zhvilluar mes Presidentit Topi dhe kryesocialsitit Edi Rama, përfundoi pa asnjë rezultat, përveç pasthirrmave mediatike, për mos heqje dorë prej kërkesave antiligjore. Pas këtij takimi, është e qartë se Edi Rama, nuk e ka të lehtë të pranojë udhëzimet e kreut të shtetit, për një marrëveshje në përputhje me ligjin, por as të dëgjojë germën e ligjeve dhe Kushtetutës se vendit. Takimi i dytë i zhvilluar në zyrën e Presidentit, është shoqëruar me të njëjtin rezultat ashtu si edhe i pari, ku nga njëra anë vazhdon të mbizotërojë qëndrimi i palëkundur i opozitës me kërkesat antiligjore dhe nga ana vjetër vullneti i mazhorancës për të pranuar çfarë do lloj kompromisi që nuk cenon kushtetutën.
Edi Rama, i shoqëruar nga kreu i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste Gramoz Ruçi ka përfunduar pak më parë takimin e tij ne presidence ku ka njohur kreun e shtetit për qëndrimin e partisë së tij për hetimin e zgjedhjeve.
Pas takimit ka qenë Ruçi ai i cili ka sqaruar për mediat se sot presidenti nuk ka paraqitur propozime konkrete por ka dëgjuar qëndrimin e PS-së.
“Partia Socialiste edhe njëherë shpalosi para presidentit kërkesën për hetim, mbështetur edhe në rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, u shpreh Ruçi.
Edhe pas finalizimit të takimit të dytë te tryeza e Topit, ende palët nuk kanë një qëndrim unik lidhur me situatën politike, por megjithatë opozita po ndjen presionin e djegies së afateve kushtetuese, çka e detyron atë të kthehet në parlament para datës 6 mars. Pikërisht ky zhvillim, përbën edhe më kulmorin në historinë politike të Ramës, atë të humbjes së kontrollit të partisë dhe largimin e tij nga PS me hyrjen e deputetëve në parlament.
Lideri i mazhorancës Sali Berisha dhe ai i opozitës Edi Rama, u ftuan dje në raundin e dytë të bisedimeve te Presidenti i Republikës, për situatën politike në vend.
Më shumë se për ndokënd tjetër, tentativa e djeshme e presidentit, ishte shansi i fundit për Edi Ramën, kreun e PS-së.
Ndryshe nga takimi i parë, ku liderët politikë organizuan një tryezë të përbashkët, këtë herë Berisha dhe Rama u ftuan në takime të veçanta, për të depozituar secili më vete argumentet e justifikueshme, lidhur me situatën politike dhe mundësitë e mënjanimit të shpejtë të saj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›