Shteti i Kosovës sot mbush dy vjeç
Kosova feston sot ditëlindjen e saj si shteti më i ri në Europë. Në 17 shkurtin e vitit 2008, pas një përvoje prej 9 vjetësh nën protektoratin ndërkombëtar, që ndoqi çlirimin e Kosovës nga pushtimi shumëvjeçar serb, deputetët e Kuvendit shpallën Republikën e Kosovës, shtet sovran. Në lindjen e shtetit të Kosovës, ka qenë dëshmitare edhe gazeta “Shqip”, e cila dërgoi një ekip të zgjeruar. Më poshtë po publikojmë vetëm një pjesë të shkrimit të botuar në datën historike:
“Prishtinë, 17 shkurt 2008. Ora 15:49. Deputetë prezentë në sallën e Kuvendit: 109. Votojnë pro 109 deputetë, kundër 0. Më pas, të gjithë deputetët nisin të përqafojnë njëri-tjetrin. Kalojnë vetëm pak momente dhe parlamentarët e Kosovës "imitojnë" Kuvendin e Vlorës së vitit 1912, ku firmosin në një kartë të madhe, e cila përbën dokumentin historik të lindjes së shtetit më të ri në botë: "Republikës së Kosovës". Pas nënshkrimit, takimi me treshen drejtuese të shtetit të ri: Presidentin Fatmir Sejdiu, Kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi, dhe Kryeministrin Hashim Thaçi. Nënkryetari i Parlamentit, Xhavit Haliti, lexon një nga një emrat e të gjithë pjesëtarëve të legjislativit, të cilët duken mjaft koshientë për privilegjin që fati u ka dhënë, duke mbetur në histori si bashkëthemeluesit e Kosovës së pavarur, Republikës, e cila me lindjen e saj ka ndryshuar hartën e kontinentit europian, hartën e Ballkanit, i cili që prej ditës së djeshme funksionon në bazë të ekuilibrave të rinj juridikë dhe gjeopolitikë, ekuilibra që janë një shans i paparë deri më sot në historinë e shqiptarëve: Dy shtete "binjake" në një rajon, dy njësi juridike që kanë rrënjët në një terren të fortë dhe të lashtë: kombin shqiptar. Shifrat e shpalljes së shtetit të Kosovës patën pa dyshim një konkluzion të rëndësishëm: Asnjë deputet i popullsisë serbe nuk e firmosi deklaratën e pavarësisë, duke u përjashtuar që në themel jo vetëm nga një besëlidhje, por edhe nga një proces që dje pasdite pati vetëm fillimin. Nuk ndodhi kështu me minoritetet e tjera të Kosovës. Të 10 parlamentarët që u përkasin kombësive: boshnjake, turke, ashkalinjve dhe egjiptianëve, kanë votuar pro pavarësisë dhe vunë firmat e tyre në dokumentin historik të proklamimit të pavarësisë”.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, duke vlerësuar periudhën dyvjeçare nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, tha dje se “kjo periudhë ka qenë periudha e vendimeve historike për vendin tonë, e shpalljes së pavarësisë, e konsolidimit të shtetit tonë, e vënies së ligjshmërisë, e angazhimeve të gjithanshme në kuptimin edhe të reformave, qoftë në politikë qoftë në ekonomi, qoftë në legjislacion, si dhe periudhë e perspektivës europiane. Kosova ka përfituar 65 njohje të fuqishme ndërkombëtare. është anëtarësuar në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore tha Kryeministri Thaçi.
FestaNdërkaq, për ditën e sotme në të gjithë Kosovën. Komuna e Prishtinës, me rastin e dyvjetorit të pavarësisë së Kosovës, ka përgatitur një varg aktivitetesh. Fillimisht në orët e paradites do të mbahet mbledhja solemne e Asamblesë Komunale të fëmijëve të Prishtinës, si dhe një program artistik i përgatitur nga Qendra Kulturore e Fëmijëve të Prishtinës. Ndërsa në mesditë në sheshin "Nëna Tereza" marrin pjesë grupet artistike të fëmijëve dhe të rinjve të kryeqytetit. Ndërkaq, nga aktivitetet sportive do të zhvillohet ndeshja e futbollit Kosovë - Shqipëri.
#