SHISH: Mendimet tona për ligjin e ri

Projektligji i ri për organizimin dhe funksionimin e SHISH-it ka sjellë debate të gjera midis qeverisë, opozitës dhe ndërkombëtarëve. Gazeta “Shqip” ka siguruar disa mendime të Shërbimit Informativ Shtetëror, të cilat i ka dërguar së fundi në Këshillin e Ministrave. Propozimet e hartuara në formën e një raporti kanë mbërritur në zyrën e Berishës dhe po diskutohet për përfshirjen e tyre në draftin e ri. Mësohet se SHISH ka rekomanduar që të mos zgjerohen në asnjë mënyrë kompetencat, pasi në të kundërt do të kemi një strukturë policore dhe jo një strukturë që mbron rendin kushtetues, sigurinë kombëtare dhe parandalimin e terrorizmit.
Neni tre është i debatuar, i cili bën fjalë për detyrat e Shërbimit Informativ Shtetëror. Burime nga Këshilli i Ministrave thanë se SHISH-i ka rekomanduar që të mos zgjerohet gama e veprimtarisë së strukturës, pasi institucioni sekret nuk mund të parandalojë vrasjet e “rëndomta” apo ngjarjet e rënda që mund të ndodhin në Republikën e Shqipërisë. Për këtë arsye ata kërkojnë, të mbështetur nga ndërkombëtarët, që të mos zgjerohet fusha e veprimit edhe në krimin e organizuar. Detyra e tyre është marrja e informacioneve dhe servirja në prokurori, por në asnjë mënyrë nuk mund të parandalojnë apo të marrin masa për ngjarje të rënda.
Burimet thanë se grupi i ekspertëve të fushës po punon në godinën e Kryeministrisë me dy variante të draftit, të cilat do t’i propozohen fillimisht grupeve të interesit, ndërkombëtarëve dhe më pas Komisionit të Ligjeve, i cili është “dera” e kalimit të projektligjit në Parlament për miratim. Megjithatë, varianti i parë i draftit që solli debate, kufizonte mandatin e drejtorit dhe të zëvendësdrejtorit të SHISH.
Projekti parashikonte kufizimin e mandatit të drejtuesve të SHISH-it deri në 5 vjet me të drejtën e riemërimit për një mandat të dytë. Drafti parashikonte, ndër të tjera, të drejtën që i jepet këtij institucioni për të përgjuar të gjithë ata individë që me veprimet e tyre synojnë të përmbysin sistemin e demokracisë parlamentare. Në këtë pikë, nënkuptohej e drejta e përgjimit të përfaqësuesve të opozitës. Projekti parashikonte ndryshimin e nenit 3 të ligjit të mëparshëm, i cili shton pikërisht të drejtën e SHISH-it për të përgjuar individët që me veprimet e tyre synojnë përmbysjen e sistemit të demokracisë parlamentare. “Shërbimi Informativ i Shtetit ka për detyrë: Të mbrojë sigurinë kombëtare, në veçanti, mbrojtjen kundër kërcënimeve nga spiunazhi, terrorizmi dhe sabotimi, si dhe nga veprimet që synojnë përmbysjen e sistemit të demokracisë parlamentare”, shkruhej në pikën e parë të këtij neni.
Pas hartimit të draftit të parë, Kryeministri Sali Berisha tha se në objektin e punës së SHISH-it “qartësohet më mirë detyra e shërbimit për të ndihmuar, ndonëse ndihmon, agjencitë e zbatimit të ligjit në luftën kundër krimit të organizuar, shtohet një objektiv i ri, lufta kundër korrupsionit të personit publik”. Më tej, Kryeministri u shpreh se është i nevojshëm ushtrimi i kontrollit ndaj SHISH-it nga Kuvendi dhe posaçërisht nga Komisioni Parlamentar i Sigurisë Kombëtare.
#