E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy shqiptarët e arrestuar për trafik, bie padia në Strasburg

 TIRANE - Gjykata e Strasburgut pushon ankimin e dy vëllezërve nga Lezha, Shkëlqim dhe Ali Sufja pasi ata nuk shfaqën interes për çështjen. Vendimi është bërë publik vetëm pak ditë më parë. Në këtë dokument, argumentohet se dy vëllezërit e dënuar nga Gjykata e Bolonjës, Itali nuk i kthyen përgjigje shkresës së nisur nga gjykata në muajin korrik të këtij viti. Sipas Strasburgut, aplikantët Ali dhe Shkëlqim Sufja, 39 dhe 40 vjeç, që ndodhen respektivisht i pari në qytetin e Lezhës dhe tjetri në burg, ishin përfaqësuar në gjykim avokati italian F. Mavilla. Gjykata argumenton se më 25 shkurt 2003 vëllezërit Sufja u arrestuan në Shqipëri në bazë të një urdhër-arresti, lëshuar nga një gjyqtar hetues i Bolonjës më 21 janar 2003, i cili kishte ngritur akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës ndaj tyre. Ndalimi i tyre u konfirmua me vendim përfundimtar të Gjykatës së Lartë më 28 maj 2003. Më vonë, autoritetet shqiptare refuzuan ekstradimin e vëllezërve Sufja në Itali në përputhje me Nenin 491 të Kodit të Procedurës Penale, i cili ndalon ekstradimin e shtetasve shqiptarë. Në të njëjtën kohë ndaj tyre ishte ngritur akuza e organizimit dhe drejtimit të një organizate kriminale. Më 28 korrik 2003, Gjykata e Bolonjës i hoqi masën e sigurisë Ali Sufjes duke urdhëruar lirimin e tij nga qelia. Në të njëjtën datë ambasada italiane në Tiranë informoi ministrinë Shqiptare të Drejtësisë, me një notë verbale për lirimin e të arrestuarit. Ndërkohë më 16 shkurt 2004 e njëjta gjykatë pushoi akuzën ndaj tij, kurse lirimi i tij nga akuza italiane, e transferuar në Tiranë u bë i mundur vetëm më 3 tetor 2005. Po këtë ditë, vëllai i tij Shkëlqim Sufja u gjet fajtor për krijimin dhe drejtimin e organizatave kriminale të përfshira në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe e dënoi atë me 12 vjet burg. Gjykata shqiptare nuk arriti të referonte vendimin e Gjykatës së Bolonjës prej 18 gushtit 2004. Në lidhje me këtë Ali Sufja pretendoi në gjykatë se ishte burgosur në mënyrë të paligjshme nga 28 korrik 2003 deri më 4 mars 2004, kurse i vëllai i tij Shkëlqimi nga 30 gushti 2004 deri më 3 tetor 2005. Nga shkresat e gjykatës të datave 18 shtator 2008 dhe 8 korrik 2009, dërguar me postë të regjistruar, avokati i vëllezërve Sufja ishte njoftuar se periudha e lejuar për dorëzimin e përgjigjeve në gjykatë kishte skaduar më 17 korrik 2008 dhe se nuk lejoheshin veprime të mëtejshme procedurale. Duke u nisur nga ky fakt gjykata ka argumentuar se në këto rrethana  kërkuesit janë konsideruar se nuk dëshirojnë të ndjekin aplikimet e tyre, ndaj është vendosur pushimi i çështjes.                fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›