Rrëshqet dheu, prishet rrjeti i ujësjellësit
29/12/2009 Ndërhyjnë grupet e punës
Reshjet e shumta në vend nuk kanë sjellë vetëm hapjen e kaskadave të hidrocentraleve, por dhe probleme në furnizimin me ujë të pijshëm në kryeqytet.
Ditët e fundit në disa zona të Tiranës janë njoftuar probleme në furnizimin me ujë. Ndërkohë prej drejtorisë së ujësjellësit informohet se avaria ka ndodhur si pasojë e reshjeve të shumta. Bëhet fjalë për një defekt në rrjetin e ujësjellësit në Lanabregas dhe në depon e Qytetit Studenti. Për pasojë, ndërprerje në furnizimin me ujë të pijshëm kishte dhe Tirana e Re, “Komuna e Parisit”, zona e Kinostudios, Kodra e Priftit, Sauk dhe zona e “Ali Demit”. Drejtues të ujësjellësit kanë njoftuar gjithashtu se grupe specialistësh nisën punën për riparimin e defektit dhe furnizimin normal me ujë të pijshëm. Gjithashtu theksohet se menjëherë pas gjendjes së vendit të dëmtuar nisi puna për sistemimin. Kështu që pritet që brenda ditës së sotme furnizimi me ujë të pijshëm të jetë normal. Ekspertët kanë sqaruar se si pasojë e reshjeve toka në zonën ku kalonte tubacioni i furnizimit me ujë të Tiranës pësoi rrëshqitje të ndjeshme, gjë që kërkoi ndërhyrje të menjëhershme.