Arrestohen vrasësit e emigrantit
FIER/GJIROKASTERMerr fund aventura e dy adoleshentëve që morën peng, torturuan e më pas ekzekutuan në një tunel në Levan, 32-vjeçarin fierak Leonard Hazizaj. Operacioni i koduar "Tuneli", që zgjati për plot 9 orë çoi në pranga rreth orës 00:00 të së hënës 17-vjeçarin S.Hajdini dhe 16-vjeçarin R.Osmani. Kapja e tyre u krye në afërsi të Lazaratit, pasi nuk kishin arritur të arratiseshin në Greqi. Agjentët e policisë kishin mundur të siguronin të dhëna për vendndodhjen e tyre që pasditen e së dielës. Në operacion u angazhuan dhjetëra efektivë, të kryesuar nga kryepolici Emri Vata. Dy adoleshentët, janë strehuar fillimisht në lagjen "Zinxhira" e populluar nga romët. Mësohet se në momentin që dy të dyshuarit për ekzekutimin e të riut kanë vënë re lëvizje të agjentëve të policisë në zonën ku qëndronin, ata janë larguar në drejtim të fshatit Lazarat. Për 30 minuta, agjentët e policisë i kanë ndjekur nga pas në të gjithë Lazaratin, madje me qen gjurmues. Pasi është errësuar Osmani dhe Abedini, kanë zbritur në një përrua për t'u larguar. Të ndodhur në këtë situatë, u shtuan edhe 45 efektivë të tjerë për të rrethuar gjithë zonën, nga jugu në pjesën e Sofratikës, në lindje në zonën e fshatit "Arshi Lengo", në perëndim në kodrat e Leknjasit përballë fshatit Lazarat dhe në veri në qytetin e Gjirokastrës. Veç kësaj, u ngritën postblloqe të tjera në Tepelenë dhe Përmet, si dhe në Jorgucat në drejtim të Sarandës, pasi errësira mund të favorizonte ata. Duke përdorur edhe metoda speciale të hetimit, të kërkuarit ranë në grackën e policisë, kur tentuan të dalin në rrugën kryesore për të gjetur ndonjë makinë të rastit me të cilën të mund të largoheshin. Por blutë kishin mirorganizuar gjithçka. Një mjet që drejtohej nga agjenti i policisë ka marrë "pasagjerë" të kërkuarit, nga ku më pas iu vunë edhe prangat. Operacioni ka vazhduar më tej edhe me arrestimin e Thanas Abedinit, 54 vjeç, i cili kishte strehuar autorët e ngjarjes. Policia e Fierit deklaroi dje se viktima ka kaluar në fshatin Levan me automjetin e tij. Tre adoleshentët (Miço Osmani u arrestua pas ngjarjes) kanë ndaluar mjetin të armatosur dhe më pas e kanë detyruar viktimën të shkonin për në tunelin e ish-repartit të ushtrisë. Aty i kanë marrë 1500 lekët që kishte me vete, celularin dhe disa sende të tjera, si orë dore, unazë dhe byzylyk. Pasi e kanë plaçkitur, ata e kanë torturuar 32-vjeçarin Hazizaj nga ku më pas e kanë ekzekutuar. Pas arrestimit të Osmanit, bluve nuk i është dashur shumë punë për të identifikuar edhe dy autorët e tjerë të këtij krimi të rëndë, të cilët akuzohen për "Armëmbajtje pa leje" dhe "grabitje me armë, duke shkaktuar vdekjen". m.r/p.n