E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushata zgjedhore rriti "shërbimet e mbrojtjes"

 TIRANE - Garda e Republikës ka përballuar një volum më të lartë pune gjatë vitit 2009 për shkak të fushatës elektorale me mbrojtjen e personaliteteve politike dhe shtetërore. Sipas analizës së punës për vitin 2009, zhvilluar dje në prani të zv.ministrit të Brendshëm dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, gjatë vitit 2009, shërbimet e ruajtjes së personaliteteve janë rritur ndjeshëm krahasuar me vitet paraardhëse. Sipas të dhënave nga analiza, mësohet se shkak për rritjen e ngarkesës së punës, është bërë kryesisht fushata elektorale gjatë të cilës është dashur të merren në mbrojtje personalitetet shtetërore dhe politike gjatë veprimtarisë së tyre në Tiranë por edhe në qytete të tjera. Mehmet Muçaj, shefi i Shtabit të Gardës së Republikës, tha se ruajtja e personaliteteve shtetërore dhe sigurimi i objekteve të rëndësisë së veçantë është bërë i mundur falë një bashkëpunimi në rritje me institucionet e tjera si policia dhe ushtria. Garda e Republikës është e organizuar në disa sektorë të specializuar për kryerjen e detyrave të veçanta që nga ruajtja e personaliteteve VIP, deri tek sigurimi i objekteve të rëndësishme si Kuvendi, Presidenca apo Kryeministria, si dhe zgjidhja e një sërë situatash të tjera komplekse.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›