E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngacmim seksual në burgun e Korçës, zhduket denoncimi

 Armand BajramiInspektimi i Institutit Evropian të Tiranës në sistemin e para-burgimit zbulon një "mal" me shkelje të të drejtave të njeriut në paraburgimet shqiptare. Një i mitur i abuzuar seksualisht në paraburgimin e Korçës; pacientë të lidhur këmbë e duar me zinxhirë; mbipopullimi në Tiranë, Peqin, Berat e Tropojë; infrastruktura e degraduar, por edhe zgjatje tej afateve ligjore të periudhës së paraburgimit, janë vetëm disa nga problematikat e gjetura gjatë monitorimit. Të dhënat u bënë të ditura dje në një raport i Institutit Evropian të Tiranës mbi monitorimin e gjendjes së sistemit të paraburgimit në vend. Raporti u publikua në një Konferencë të organizuar nga ky institut në bashkëpunim me Avokatin e Popullit. Monitorimi i përket periudhës janar-dhjetor 2009 dhe është bërë në kuadrin e zbatimit të 51 masave të parashikuara në një Masterplan për zhvillimin në sistemin e paraburgimit në Shqipëri. Ndonëse sipas raportit 59 për qind e masave të parashikuara për Masterplanin ishin realizuar, problematika të theksuara mbeten përsëri të pranishme në sistemin e burgjeve.Abuzimi seksualRaporti bën të ditur faktin tronditës të abuzimit seksual të një të mituri në paraburgimin e Korçës. "Në paraburgimin e Korçës, një rast abuzimi seksual ndaj një të mituri nuk ishte regjistruar në asnjë regjistër. Kjo, edhe pse viktima këmbëngulte që e kishte denoncuar rastin pranë autoriteteve kompetente të burgut", thuhej në raportin e publikuar dje. Një tjetër shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut ishte konsideruar në raport edhe mbajtja e lidhja këmbë e duar e dy pacientëve në spitalin e burgut në Tiranë. "Gjatë vizitës në Spitalin e Burgut në Tiranë më 20 dhe 24 qershor 2009 u konstatua zbatimi i një trajtimi jo human dhe degradues për dy pacientë. Ata ishin të lidhur në një këmbë dhe dorë me zinxhirë në krevatin e tyre dhe kjo për një periudhë 20 ditore, të gjithë natën dhe pjesën më të madhe të ditës", bëhej e ditur në raport. Problematikë tjetër e raportit ishte zgjatja tej afateve ligjore të periudhës së paraburgimit. Sipas raportit "arresti" vazhdon të jetë masa me e përdorur për personat nën procedim penal. Me tej raporti përmend se kjo masë ekstreme sigurie caktohet edhe për minoren, ndonëse të akuzuar për krime jo të rënda. Ndërsa mangësitë infrastrukturore ishin të shumta sipas raportit. Vëzhguesit kishin konstatuar se në mjaft raste në një krevat flenë dy të burgosur, tualetet janë jashtë standardeve dhe arsimimi për të miturit në burgje thuajse nuk funksionon, mungon kujdesi i mjaftueshëm shëndetësor dhe ka mungesa në personel, veçanërisht të psikiatërve, psikologëve dhe juristëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›