Dy të arrestuar për sulmin ndaj Togos

Autoritetet e Angolës kanë arrestuar dy persona për të cilët besojnë se ishin të përfshirë në sulmin ndaj autobusit të Kombëtares së Togos në futboll, që vrau tre anëtarë të ekipit.
Prokurori i provincës Cabinda, Antonio Nito, nëpërmjet një komunikate ka njoftuar se dy të arrestuarit i takojnë grupit Fronti për Çlirimin e Enklavës së Cabindas (FLEC), që ka luftuar për pavarësi nga Angola për më tepër se 30 vjet. “Dy anëtarë të FLEC-së janë arrestuar në vendngjarjen e incidentit, në rrugën drejt Massabit që lidh dy shtetet (Angolan dhe Kongon)”, tha ai.
Autobusi që ishte duke dërguar ekipin e Togos për në Kupën e Afrikës, ishte rrethuar nga një grup i personave të armatosur në Cabinda, që është regjion gjeografikisht i ndarë nga pjesa e Angolës. Ata kishin shtënë mbi autobusin për disa minuta, sipas asaj që kanë thënë disa futbollistë të Togos. Ekipi i Togos është kthyer në vendlindje të dielën, pasi qeveria i kishte urdhëruar të largohen nga Angola.