Zgjedhje e rrezikshme

Zgjedhja e Polonisë dhe Ukrainës për nikoqirë të Euro 2012 ishte vendim i rrezikshëm pasi të dy shtetet nuk kanë përvojë në organizimin e ngjarjeve të mëdha sportive, ka thënë presidenti i UEFA-s, Michel Platini. Prej kur janë zgjedhur për bashkënikoqirë të garës, të dyja shtetet vazhdimisht janë kritikuar për progresin e ngadalshëm në përmirësimin e infrastrukturës dhe shtyrjet në ndërtimin e stadiumeve.
“Ne duhet të kujtojmë se këto dy shtete deri më tani nuk kanë përvojë në organizimin e ngjarjeve të tilla. Kjo është arsyeja pse kjo është aventurë e mirë për ne, por e rrezikshme, duhet pranuar”, tha Platini gjatë një interviste me të përditshmen polake, Przeglad Sportowy.
Në dhjetor, njëri prej qyteteve nikoqire nga Polonia, Wroclaw, e ndërpreu marrëveshjen me kompaninë ndërtimore Mostosal Warszawa për ndërtimin e stadiumit për shkak të shtyrjeve. Platini ka thënë se beson se Wroclaw do të jetë gati me kohë dhe se nuk ka konsideruar mundësinë e marrjes të së drejtës së zhvillimit të ndeshjeve në këtë qytet.
“Nuk e konsideroj një skenar të tillë, sepse informacionet që kam marrë nga Wroclaw tregojnë se bëhet fjalë vetëm për ndërrimin e ndërtuesit. Por, koha për hapjen e stadiumit të ri do të ndryshojë, por nuk do të jetë shtyrje e rrezikshme. Stadiumi ishte pritur të jetë gati në fund të vitit 2010, ndërsa do të shtyhet për disa muaj”, thekoi ai. Kryebashkiaku i Wroclawit ka thënë se pas anulimit të marrëveshjes me Mostosalin, stadiumi i ri do të jetë i gatshëm sipas afatit të përcaktuar nga UEFA.