E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria, 18 vite burg për ish-efektivin e policisë

Arian Avdo, i akuzuar për veprën penale “vrasje me dashje”. Akuza paraqiti konkluzionet e hetimit për të dyshuarin e vrasjes së Doria Vuçiternës

Tiranë - Prokuroria e Tiranës kërkoi dje dënimin me 18 vjet burg për ish- punonjësin e policisë Arian Avdo, i akuzuar për veprën penale “vrasje me dashje”. Gjatë seancës në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, prokurori Ervin Karanxha paraqiti konkluzionet e hetimit të çështjes në ngarkim të të pandehurit Arian Avdo duke kërkuar shpalljen fajtor dhe dënimin me burg të tij.
Seanca
Seancën e ardhshme pritet që pala mbrojtëse të paraqesë konkluzionet e saj dhe më pas Gjykata të shpallë vendimin. Ish-punonjësi i policisë, Arian Avdo, akuzohet si autor i vrasjes me armë zjarri të shtetasit Dorian Vuçiterna, në prill të vitit 2007, në Tiranë. Pas ngjarjes, ai është arrestuar dhe më pas është proceduar nën masën e sigurisë “arrest me burg”, dhënë ndaj tij nga Gjykata e Tiranës, pas kërkesës së Prokurorisë. Shkak i kësaj ngjarjeje mendohet të jetë bërë një konflikt i mëparshëm për motive të dobëta mes autorit të dyshuar dhe viktimës
Ngjarja
Ishte prilli i vitit 2007 kur oficeri i policisë së Repartit të Ndërhyrjes së Shpejtë, “Brisku”, qëlloi me armë pronarin e një lokali e më pas tentoi të vriste edhe veten. Shkak i ngjarjes së rëndë mendohet të ketë qenë një konflikt i vjetër mes ish-oficerit Arian Avdo dhe Dorian Vuçiternës, ky i fundit ish-emigrant në Itali dhe Kanada. Policia njoftoi atëherë se Avdo i kishte telefonuar Vuçiternës duke i kërkuar që të vinte ta takonte te reparti pasi ishte në punë. Viktima është nisur për në lagjen “Ali Demi” dhe sipas policisë ka pasur me vete edhe një polic të “Briskut”. Burimet policore thanë se oficeri i repartit special ka dalë te porta, duke ndaluar makinën tip benz 250. Po sipas njoftimit të policisë, Avdo mendohet të ketë dalë nga krahu i djathtë i mjetit ku ka qenë ulur Vuçiterna dhe, pasi kanë shkëmbyer disa fjalë, ka qëlluar në drejtim të tij. Disa plumba përshkuan trupin e Dorian Vuçiternës. Më pas, Avdo i drejtoi pistoletën edhe vetes duke hequr këmbëzën. Plumbi e ka marrë oficerin në kokë, duke u përplasur mbi derën e makinës brenda së cilës ndodhej kufoma tjetër.

21 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›