E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy të maskuar grabisin 3 mln lekë në postë

TIRANË- Dy persona të armatosur dhe të maskuar hynë dje në një filial poste në qendër të Tiranës, duke grabitur rreth tre milionë lekë të vjetra. Dy personat që dyshohen se kanë realizuar grabitjen, nuk janë ndaluar nga policia, ndërkohë që kanë nisur hetimet për identifikim dhe arrestimin e tyre. Ngjarja ndodhi të shtunën rreth orës 17.00, në bulevardin "Zogu i I-rë", ku dy personat duke udhëtuar me një motor janë ndalur më pas tek filiali i postës dhe nën kërcënimin e armës, kanë arritur të marrën shumën e lekëve që gjendeshin në arkë.


Sipas policisë, dy grabitësit sapo kanë hyrë brenda ambienteve të filialit të Postës, kanë kërcënuar punonjësit që të dorëzojnë shumën e lekëve. Ndërkohë, nën presionin e dy personave, punonjëset janë dorëzuar dhe shuma prej tre milionë lekëve është marrë nga dy grabitësit, të cilët kanë mundur të largohen pa mbërritur policia. Sipas burimëve të policisë, dy personat që grabitën dje filialin e postës janë larguar me një motor, duke iu shmangur arrestimit. Punonjëset e filialit të grabitur kanë njoftuar policinë për ngjarjen. Në vendin ku ndodhi grabitja kanë mbërritur forcat e komisariatit të Policisë nr. 3 dhe oficerët e zyrës së grabitjeve, të cilët kanë nisur hetimet për të zbardhur emrat e personave që dyshohen se kanë realizuar grabitjen dje gjatë orëve të pasdites.


Policia ka ushtruar kontrolle në zonën ku ndodhet filiali i grabitur në bulevardin "Zogu i I-rë", për të rënë në gjurmët e dy grabitësve. Uniformat blu kanë marrë në pyetje personat që kanë qenë në zyrat e filialit, të cilët kanë rrëfyer për mënyrën se si ka ndodhur grabitja e rreth tre milionë lekëve. Këta të fundit kanë dëshmuar edhe për karakteristikat e dy grabitësve, duke treguar se të dy grabitësat kanë qenë të maskuar. Policia ka marrë në pyetje edhe dëshmitarë të tjerë të ngjarjes, të cilët janë pyetur për rrethanat e ngjarjes.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›