Kapet në Rinas i riu me armë

Laurent Dervishaliaj, 23 vjeç, nga Vlora, udhëtonte drejt Xhenovës, ndërsa në bagazhe iu gjet një pistoletë "Zastava"
I arrestuari nuk pranoi të jepte detaje, ndërsa akuzohet për trafikim ndërkombëtar të armëve
TIRANË- Një emigrant 23- vjeçar nga Orikumi i Vlorës u arrestua dje pasdite, në tranzitin e terminalit të Aeroportit të Rinasit, ndërsa tentonte të kalonte një armë zjarri pistoletë "Zastava" me nëntë fishekë. Arma ishte e fshehur në bagazhet personale të emigrantit i cili udhëtonte nga Tirana në drejtim të Xhenovës me një nga avionët e shoqërive që operojnë në këtë linjë. Laurent Dervishaliaj, 23 vjeç, nga Orikumi i Vlorës, u ndalua në terminalin e aeroportit ndërkombëtar "Nënë Tereza", të Rinasit, pak përpara se ai të fluturonte në drejtim të vendit matanë Adriatikut me pasaportë shqiptare dhe vizë italiane.
Ai pritet të merret në hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, për akuzën e trafikimit ndërkombëtar të armëve dhe municioneve luftarake, si dhe mbajtjes pa leje të tyre. Lajmi u bë i ditur dje për "Shekullin", nga burime të drejtorisë së Policisë Kufitare dhe të Migracionit. Sipas tyre, arrestimi u krye nga agjentët e policisë kriminale në terminalin e aeroportit, ku Dervishaliaj, po qëndronte në pritje të afrimit të autobuzit, që do të dërgonte pasagjerët në avionin e linjës që udhëtonte drejt Xhenovës. Menjëherë ai është mbërthyer nga një agjent i policisë kriminale i cili i ka kërkuar që të shkonte pas tij, ndërsa me të ishin edhe disa oficerë të tjerë të policisë së komisariatit të Rinasit.
Zbulimi i çantës
Çanta që mbante me vete vlonjati, është zbuluar nga vëzhgimi i skanerit se veç rrobave dhe sendeve të tjera personale kishte brenda saj edhe një send metalik. Nga vëzhgimi që kanë kryer specialistët e sigurisë, në skaner është vënë re se mjeti metalik kishte formën e një arme pistoletë. Menjëherë ajo është tërhequr dhe iu është dorëzuar specialistëve të policisë kriminale të cilët pasi kanë identifikuar pronarin e bagazhit janë nisur menjëherë në drejtim të tranzitit të terminalit, për të gjetur poseduesin e vërtetë të sendit metalik. Ndërkohë që policët mbërrinin në zonën e tranzitit, hetuesit zbuluan gjatë kontrollit të çantës se sendi metalik ishte një armë e vërtetë. Menjëherë ai është dërguar në një dhomë të veçantë, ndërsa janë lajmëruar ekspertët. Ndërkaq specialistët e policisë kriminale dhe agjentët kishin mbërthyer 23- vjeçarin nga Orikumi dhe ai po dërgohej në ambientet e komiariatit të Policisë së Rinasit.
Pyetja
Menjëherë sapo është dërguar në ambientet e policisë së komisariatit të Rinasit, ku disa hetues dhe specialistë të krimeve nisën menjëherë marrjen e tij në pyetje dhe verifikimet për të. Devishaliaj, ka pranuar t'iu përgjigjet vetëm pyetjeve të para të hetuesve në lidhje me gjeneralitetet e tij dhe destinacionin e udhëtimit. Ai ka pranuar se ishte Laurent Dervish Aliaj, dhe se udhëtonte në drejtim të Italisë. Vetëm kaq, më tej ai nuk ka pranuar të japë detaje rreth faktit se përse i duhej arma apo se kujt do t'ia çonte apo shkakun e mbajtjes së saj. Dervishaliaj, iu ka pohuar hetuesve se nuk dëshironte të pyetej pa praninë e një avokati. Pavarësisht përpjekjeve të hetuesve për të marrë të dhëna në lidhje me të, 23- vjeçari ka refuzuar t'iu përgjigjet hetuesve, duke përsëritur kërkesën për avokat, në këto kushte oficerët e hetimit bllokuan veprimet e marrjes së tij në pyetje dhe njoftuan prokurorinë e rrethit, për arrestimin e kryer në flagrancë dhe provat e kapura.
Dashamir Biçaku