Kontraceptivët, rritet buxheti, ndërgjigjësimi i ulët
Në një hark kohor prej më shumë se 5 vjetësh, është rritur vetëm me 3% numri i popullatës që përdor metodat kontraceptive moderne. Kjo shifër mbetet ende e ulët në krahasim me vendet e tjera të rajonit dhe Bashkimit Europian. Ministria e Shëndetësisë nga ana e saj ka rritur buxhetin për ofrimin falas të kontraceptivëve në maternitetet, qendra shëndetësore dhe konsultoret e grave. Specialistët e Shëndetit Publik në këtë dikaster pohojnë se popullata duhet të ndërgjegjësohet më tepër si për metodat moderne të planifikimit familjar, por edhe për kontraceptivët mbrojtës nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme. "Nga 8% e popullatës që përdorte metodat moderne kontraceptive 5 vjet më parë shifra ka arritur në 11%. është ende e ulët, po ta krahasojmë me vendet e tjera dhe për këtë arsye Ministria e Shëndetësisë u ka dhënë mjaft prioritet fushatave të ndryshme sensibilizuese si dhe rritjes së buxhetit për ofrimin falas të kontraceptiveve", shprehet Gazmend Bejtja, drejtori i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë. Ai sqaron se janë rreth 70 mijë dollarë që mbulohen nga fondet e Ministrisë së Shëndetësisë për kontraceptivët. "Do doja të theksoja këtu se nuk ka vend për asnjë dyshim në cilësinë e këtyre kontraceptiveve, pasi nga monitorimet tona është vërejtur dyshimi. Ministria e Shëndetësisë siguron fondin, ndërsa UNFPA kontrakton me firma ndërkombëtare për blerjen e këtyre kontraceptivëve", thotë Bejtja. Ai bën me dije se në maternitete, Poliklinikën Qendrore në Tiranë, konsultoret e grave në rrethe si dhe qendrat shëndetësore komunale ofrohen falas 4 lloje kontraceptivësh. "Jepen falas përkatësisht prezervativët mashkullore, pilulat kontraceptive, kontraceptivët me injeksion, por edhe diapozitivi intra uterin (spiralja). Gjithçka në kuadër të programit kombëtar për planifikimin familjar, i cili siç e theksova më sipër, është prioritar për Ministrinë e Shëndetësisë", sqaron drejtori i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë. Pak muaj më parë ministria në bashkëpunim me USAID kanë përfunduar edhe Protokollin Kombëtar të Planifikimit Familjar, i cili ofron gjithë informacionin e nevojshëm në lidhje me metodat moderne kontraceptive. "Ky protokoll kombëtar është harmonizuar me udhëzuesin botëror të planifikimit familjar dhe ka informacion mjaft të bollshëm si për vetë punonjësit e shëndetësisë, por edhe për popullatën", sqaron Gazmend Bejtja. Në këtë protokoll është përfshirë gjithashtu lista e kontraceptivëve të miratuar për përdorim në Shqipëri si dhe efektshmëria e tyre. Ndërkaq mjekët gjinekologë u bëjnë apel çifteve të përdorin metodat moderne kontraceptive. Sipas tyre ato garantojnë jo vetëm një jetë të shëndetshme seksuale, por mbrojnë edhe nga shtatzënitë e padëshiruara dhe disa metoda mbrojnë edhe nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Aktualisht sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, pjesa më e madhe e shqiptarëve përdorin metodat tradicionale të planifikimit familjar. z.ll
Kontraceptivët falas
Prezervativët Pilulat kontraceptive(dy lloje) Kontraceptivë me injeksion Dispozitivi Intra Uterin (spiralja)