E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, vidhet shtëpia e biznesmenit

 

Etleva Delia

Hajdutët vodhën në mënyrë spektakolare rreth 180 mijë euro në shtëpinë e një biznesmeni ndërtimi në Tiranë. Ngjarja ndodhi në orën 14:30 në rrugën “Hamit Shijaku”, kur persona ende të paidentifikuara vodhën nga kasaforta e biznesmenit Ilirian Çela, pronar i firmës “EURO AL MAGJ”, rreth 180 mijë euro. Sipas policisë, personat që kanë realizuar vjedhjen kanë hyrë në banesën e biznesmenit Ilirian Çela nga tarraca e pallatit ku ai banonte, në katin e nëntë, duke përfituar nga rasti, pasi në shtëpi nuk ndodhej njeri. Siç duket gjithçka ka qenë e studiuar më parë nga autorët e krimit, pasi vendi ku ndodheshin paratë është gjetur në pak kohë, pa kërkuar nëpër vende të tjera nëpër shtëpi. Gjithashtu është zgjedhur orari i përshtatshëm, kur biznesmeni ndodhej në zyrat e firmës së tij, e cila ishte në të njëjtën ndërtesë me shtëpinë, por në një kat tjetër. Sipas policisë, nuk përjashtohet mundësia që personat që kanë realizuar supervjedhjen mund të jenë të njohur të biznesmenit, persona të punësuar nga ai, miq apo edhe nga rrethi familjar.
VJEDHJA
Në orën 14:30 policia e kryeqytetit është njoftuar për një vjedhje të ndodhur pranë Komisariatit të Policisë nr.3 në Tiranë. Biznesmeni Ilirian Çela ka njoftuar policinë se kur është kthyer në shtëpi ka gjetur kasafortën e hapur dhe të boshatisur. Sipas tij, brenda kishte të paktën 180 mijë euro, që ishin marrë nga aty nga persona që ende nuk janë identifikuar. Sapo është kthyer nga puna ai ka vënë re derën e ballkonit që ishte e hapur dhe kur është drejtuar për nga dhoma ku kishte kasafortën e ka gjetur të hapur edhe atë. Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, ku ka konstatuar se autorët e vjedhjes kishin hyrë në apartament nga tarraca e pallatit në katin e nëntë dhe nuk kanë përdorur asnjë mjet të fortë për të hapur derën e shtëpisë. Sipas policisë, duket se skema e vjedhjes ka qenë e studiuar mirë nga autorët, mbase edhe prej kohësh, derisa ata kanë realizuar me sukses marrjen e parave. Nga burime të policisë mësohet se personat që kanë kryer vjedhjen kanë njohur jo vetëm biznesmenin Ilirian Çela, por edhe ambientet e apartamentit të tij, pasi e kanë ditur ku ndodhej kasaforta ku ai mbante paratë. Ky fakt është saktësuar pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, ku është vënë re se hajdutët nuk kanë prekur asgjë në shtëpi veç kasafortës. Nga verifikimet ka rezultuar se hajdutët nuk kishin kontrolluar në asnjë vend tjetër të shtëpisë, por vendi ku kanë “gërmuar” ka qenë vetëm kasaforta, që sipas dëshmisë së biznesmenit ishte lënë e hapur nga vetë ai. Në Drejtorinë e Policisë së Tiranës është ngritur një grup special pune për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorëve. Gjithashtu pritet të merren në pyetje edhe persona të punësuar nga biznesmeni Ilirian Çela, si dhe fqinjë të tij në pallatin ku është realizuar vjedhja. Ndërkohë janë ngritur postblloqe policie në të gjitha rrugët dalëse të kryeqytetit dhe po bëhen kontrolle të vazhdueshme të të gjitha automjeteve që dalin nga Tirana.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›