E Diel, 1 Nëntor 2026

Hillari Klinton i deklaron zv/kryeministrit Meta: Shqipëria do vijojë të mbetet një partnere e afërt e SHBA-ve

Dje më 22 Shtator 2009, Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme z. Ilir Meta mori pjesë në darkën Trans-Atlantike e cila u shtrua nga Sekretarja e Shtetit të SHBA Znj. Hillary Klinton. Kjo darkë u organizua gjatë Sesionit të 64 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në të cilën ishin ftuar Ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së dhe NATO-s. Gjatë kësaj darke Ministrat e Jashtëm të Aleancës së Atlantikut diskutuan rreth një sërë çështjesh të një rëndësie të veçantë për paqen dhe sigurinë e vendeve anëtare të NATOs dhe BE-së. Gjatë darkës, Zv. Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Ilir Meta u takua dhe zhvilloi një bisedë të ngrohtë me Sekretaren e Shtetit Klinton, e cila e përshëndeti Z. Meta për marrjen e funksioneve dhe i uroi atij suksese në ushtrimin e kësaj përgjegjësie të rëndësishme politike për Shqipërinë. Znj. Klinton i konfirmoi Z. Meta vullnetin e SHBA për një bashkëpunim të ngushtë mes dy vendeve në të gjitha nivelet dhe i theksoi atij besimin e plotë tek roli tepër konstruktiv dhe i rëndësishëm që Shqipëria ka luajtur dhe do luajë si një partnere e afërt e SHBA për mbarëvajtjen e sigurisë, paqes dhe stabilitetit rajonal. Z. Meta, në emër të Qeverisë shqiptare e siguroi Znj. Klinton për angazhimin maksimal të Shqipërisë në përmbushjen e detyrimeve si anëtare e NATOs dhe dedikimin e Qeverisë për t’iu afruar sa më shpejt integrimit të plotë europian.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›