E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy të rrëmbyerit nga SHIK, dëshmi për Remzi Hoxhën

 

Ende nuk dihet se ku gjenden eshtrat e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha por mësohet se pasi është rrëmbyer nga agjentë të shërbimit Informativ Kombëtar është mbajtur dhe torturuar për 4 ditë në një zonë sekrete të SHIK-ut në Vajin të Lezhës. Adresa e fundit, 13 vjet pas zhdukjes së biznesmenit, është pikërisht kjo bazë e shërbimit informativ. Sipas dëshmive të të mbijetuarve dhe të atyre që e rrëmbyen nga SHIK-u, Ziso Kristopulli dhe Avdyl Loshaj, u kanë thënë prokurorëve se e kishin parë 45 vjeçarin Remzi Hoxha të lidhur me tel dhe se kishin dëgjuar britmat e tij. Dy vjet më parë në një letër anonime drejtuar ish-kryeprokurorit Theodhori Sollaku, thuhej se trupi i Remzi Hoxhës ndodhej përreth bazës. Në fakt kërkimet nuk rezultuan të frytshme. Dosja "Hoxha" që mban cilësimin e zhdukur ka njohur që prej 21 tetorit të 1995 pezullime dhe rikthime hetimesh, shoqërim dhe mbajtje në paraburgim të katër zyrtarëve të SHIK-ut, derisa u mor nga prokurorët e krimeve të rënda. Burimet thonë se dy të mbijetuarit e lartpërmendur kanë dëshmuar sërisht për organin e akuzës duke hedhur dritë mbi detaje të rëndësishme. Deklarata e tyre ka plotësuar dosjen e bisnesmenit shqiptaro-maqedonas, dosje e cila është nisur drejt gjykatës me 4 persona të akuzuar. Arben Sefgjini, ish shef i SHIK-ut dhe ish vartësit e tij Avni Koldashi, Budjon Mece dhe Ilir Kumbaro. Ata akuzohen për rrëmbim personi, torturim ,vrasje dhe zhdukje të kufomës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›