E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD vendos: Presidenti, me 71 vota

 

Negociatat pas grupit. Vendimi i PD dhe deputetët kundër. Mustafaj: Reforma s'përfaqëson interesat e PD-së

Vendimi, PD: Sot votohet vetëm  Presidenti me shumicë të thjeshtë

TIRANË- Një ditë para votimit në Parlament të ndryshimeve në Kushtetutë, kryeministri Sali Berisha tentoi të bashkojë votat e grupit parlamentar për zgjedhjen e Presidentit, por 3 orët e mbledhjes me shumë debate nuk sollën rezultat. Demokratët arritën vetëm të marrin një vendim politik: Sot në Parlament do të votohet për vendimin e miratuar në kryesinë e PD-së, pra për paketën kushtetuese, e cila përmban ndër të tjera edhe zgjedhjen e Presidentit me shumicë të thjeshtë. Me këtë vendim politik, kreu i ekzekutivit Berisha rrëzoi mundësinë e votimit edhe të variantit të zgjedhjes së Presidentit nga populli, për të cilin kishin firmosur gjatë javës së shkuar më shumë se 28 deputetë, dhe që Komisioni i Ligjeve e kaloi për miratim në Kuvend si propozim në minorancë. Kështu, partia më e madhe në pushtet ka vetëm vendimin politik për të votuar variantin e zgjedhjes së Presidentit me shumice të thjeshtë në raundin e V-të, por jo se ka të gjitha votat pro paktit të arritur me Partinë Socialiste. Mbledhja e mbrëmshme e grupit parlamentar ishte mundësia e vetme e Kryeministrit për të gjetur konsensusin para seancës së sotme. Kjo pasi sot paradite ai do të jetë në Murriqan, ku me homologun malazez Gjukanoviç do të inaugurojnë doganën e përbashkët mes të ty vendeve. Ndërsa pasdite Berisha do të shtrojë një drekë për Presidentin e Kroacisë, Stipe Mesiç, që sot fillon një vizitë në Tiranë, dhe menjëherë pas saj do të shkojë në seancën e Kuvendit, që fillon në orën 18:00.

Vendimi Politik

Vendimi politik i grupit parlamentar të PD-së, u bë publike mbrëmë nga kryetari i këtij grupi, Astrit Patozi. "Grupi parlamentar i PD-së vendosi që të shkojë nesër në seancë për ndryshimet kushtetuese, në respekt të vendimit të kryesisë së PD-së dhe të versionit që ka miratuar Komisioni i Ligjeve. Ka vetëm një variant. Nuk mund të ketë dy variante",- tha dje Patozi. Kryetari i grupit parlamentar konfirmoi edhe arsyen e këtij vendimi. "Përderisa partia kryesore e opozitës nuk pranon që ne të shkojmë në seancë me dy variante, përderisa ne në këtë reformë jemi angazhuar për të shkuar me konsensus, do të shkojmë me vendimin e kryesisë së PD-së dhe vendimin e Komisionit të Ligjeve",- tha ai. Kreu i grupit parlamentar është shprehur i sigurt se të paktën për reformën zgjedhore ka një qëndrim unik të grupit, me qëllim dhënien fund të Dushkut. "Kjo është para së gjithash një reformë e madhe elektorale, që do të thotë që ne po ndryshojmë sistemin",- shtoi ai.

Grupi kundër

Lista e firmëtarëve për zgjedhjen e Presidentit nga populli u lëkund jo pak mbrëmë gjatë mbledhjes së grupit. Ata ishin vënë para një fakti të kryer: Të mbështesnin ose jo vendimin politik të partisë. Një pjesë e deputetëve, pa dashur të prononcohen me emër, u shprehën për gazetën se ishin të detyruar të zbatonin vendimin politik të Partisë Demokratike, edhe pse një qëndrim të qartë do ta merrnin vetëm sot. Disa prej tyre, pas mbledhjes së grupit, u thirrën sërish për 30 minuta në një mbledhje të ngushtë me kryeministrin Berisha, Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe kryetarin e grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi. Por ka pasur ndër ata deputetë si Besnik Mustafaj të cilët e kanë thënë hapur votën e tyre kundër paketës në tërësi, duke mos negociuar më tej. Vendimin e tij, Mustafaj e ka bërë publike edhe pas mbledhjes se grupit parlamentar. "Unë jam në minorancë, por jam i palëkundur në bindjet e mia, se reforma që po kryhet nuk përfaqëson interesat elektorale të PD-së. Është një reformë që nuk është bërë me transparencën e nevojshme, është një reformë që nuk i është nënshtruar një debati politik, nuk ka marrë konsulencën e juristëve më të mirë të vendit dhe, po ashtu, nuk ka marrë as opinionin e Komisionit të Venecias",- tha Mustafaj.

****

Mbledhja zhvendoset në selinë e PD

Votat për Presidentin, negociatat deri në mesnatë

TIRANË- Mosmarrëveshjet për të dalë me një qëndrim të përbashkët lidhur me zgjedhjen e Presidentit kanë vijuar edhe pas grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Një pjesë e deputetëve të cilët mbështesin variantin e zgjedhjes së Presidentit nga populli, i kanë vijuar negociatat edhe pas mbledhjes së grupit. Burimet nga PD thanë mbrëmë për "Shekullin" se një mini-mbledhje mes deputetësh është zhvilluar në selinë blu, ku negociatat kanë zgjatur deri vonë, me qëllim që të ketë sa më pak vota kundër sa i përket nenit që bën fjalë për zgjedhjen e presidentit. Dihet tashmë që votat për ndryshimin e paketës kushtetuese duhen 94 . Edhe pse një grup deputetësh u shprehën mbrëmë se ka më shumë se 94, kryeministri Sali Berisha ka preferuar që të zhvendosë negociatat në selinë e Partisë Demokratike, pikërisht për atë nen të projektligjit që bën fjalë për zgjedhjen e Presidentit. Edhe mbrëmë vonë, negociatat nuk kanë dalë në një qëndrim të përbashkët edhe pse një pjesë e deputetëve "rebelë" në fakt kanë dalë tepër të lëkundur për zgjedhjen presidentit nga populli, edhe pse zyrtarisht nuk preferuan të bënin asnjë deklaratë.

Braçe konfirmoi vendimin politik për zgjedhjen e Presidentit me shumicë të thjeshtë

Presidenti, Braçe: "Ok" vendimit politik të PS

TIRANË- Nënkryetari i grupit parlamentar i PS-së, Erion Braçe ka deklaruar dje qartas se qëndrimi i grupit parlamentar i PS-së për paketën e ndryshimeve kushtetuese, është unik dhe i pandryshuar. I pyetur dje në konferencën për shtyp se çfarë pritet të ndodhë nesër (sot) në sallën e Kuvendit, pasi ka zëra në grupimin e Partisë Demokratike se do të mbështetet varianti i zgjedhjes së Presidentit nga populli, Braçe u përgjigj: "Deputetët e PS do të mbështesin të gjithë vendimin politik që tashmë është marrë në Asamblenë Kombëtare të PS, në Kryesinë e PSSH dhe në grupin e saj Parlamentar". Për pasojë, deputetët e grupit parlamentar të PS-së do të mbështesin sot variantin e zgjedhjes së Presidentit me shumicë të thjeshtë, pikërisht atë nen të ndryshuar të Kushtetutës që kaloi pak ditë më parë me shumicë votash nga Komisioni i Ligjeve. Sipas draftit në fjalë, Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë, kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin e katërt dhe të pestë, zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Votimi i pestë zhvillohet kur në votimin e katërt asnjë kandidat nuk ka siguruar shumicën e kërkuar të votave. Votimi i pestë zhvillohet vetëm midis dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota në votimin e katërt. Në rast se ka më shumë se dy kandidatë me të njëjtin numër votash, kandidati që merr pjesë në votim caktohet me short. Në rast se pas votimit të katërt nuk ka mbetur asnjë kandidat në konkurrim, për këtë votim mund të paraqiten kandidatë të rinj. Kur paraqiten më shumë se dy kandidatë, votimi zhvillohet midis dy kandidatëve që kanë siguruar numrin më të lartë të deputetëve propozues. Ndaj propozimit në fjalë, të gjithë anëtarët e PS-së në Komisionin e Ligjeve votuan pro, duke konfirmuar në këtë mënyrë edhe qëndrimin e tyre se nuk do të ketë luhatje të votave nga ky grupim, në seancën e sotme të Kuvendit.

N.P

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›